Botë
NATO, deklarohet për stërvitjen ushtarake Serbi-Rusi
27.10.2019 18:26
NATO është deklaruar për stërvitjen ajrore ushtarake të Serbisë me Rusinë...

NATO është deklaruar për stërvitjen ajrore ushtarake të Serbisë me Rusinë, ku sistemet e mbrojtjes raketore ruse S-400 dhe Pantsir-S janë pjesë e këtyre stërvitjeve.
Në një deklaratë për Evropën e Lirë, zyra për media e NATO-s ka thënë se aleanca dhe Serbia “janë partnerë dhe ne respektojmë të drejtën e Serbisë që të ndërmarrë vendime sovrane lidhur me stërvitjet që kryen në territorin e saj”.
“Kjo është një çështje që i përket Serbisë dhe Rusisë” thuhet në deklaratën e NATO-s, ku theksohet se “Serbia është partner i NATO-s” dhe se vendet e Ballkanit “kanë një marrëdhënie të mirë dhe produktive” me aleancën Perëndimore.
Rusia tha se sistemi S-400 dhe ai Pantsir-S po marrin pjesë në ushtrimet “Mburoja Sllave 2019”, që Moska po zhvillon me Beogradin zyrtar, me qëllim që të testojë aftësitë mbrojtëse ajrore të të dyja vendeve. Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se sistemet tokë-ajër janë vendosur në bazën në Batajnicë, që gjendet në periferi të Beogradit. Është hera e parë që sistemet S-400 dhe Pantsir-S marrin pjesë në stërvitje ushtarake jashtë Rusisë, tha ministria. Sistemi S-400 do të kthehet në Rusi pasi të përfundojnë stërvitjet më 29 tetor. Derisa sistemi Pantsir siç ka deklaruar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të blihet nga Serbia.
