Besimi: Maqedonia e gatshme për sanksione ndaj Rusisë
Prioritet i Maqedonisë vazhdon të mbetet agjenda për integrimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe këtë e dëshmojnë edhe deklaratat e miratuara edhe nga kuvendi për perspektivën euroatlantike të vendit...........

Kështu deklaron zëvendëskryeministri për Eurointegrime, Fatmir Besimi, në takim me gazetarët. Ai ka thënë se puna dhe reformat e bëra në të gjitha sferat e shtetit, dëshmojnë më së miri se vendi është i orientuar drejt integrimeve euroatlantike dhe jo drejt Kinës dhe Rusisë. Madje, ka shtuar Besimi, Maqedonia të vendos sanksione ndaj Rusisë në qoftë se kjo kërkohet nga BE. Ai, ka shtuar se zgjerimi mbetet pjesë e agjendës së BE-së.
“E jona është të fokusohemi në reformat dhe në mënyrë maksimale të kontribuojmë për progresin e mëtejmë të procesit eurointegrues. Me reformat dhe realizimin e prioriteteve të parapara, ne jemi të përkushtuar për anëtarësimin në BE, i cili mbetet prioriteti ynë kryesor"- theksoi Besimi.
Sipas tij, është e sigurt se gjatë mandatit të Komisionit Evropian të kryesuar nga Zhan Klod Junker, nuk do të ketë anëtare të reja, pasi që negociatat zakonisht zgjasin prej pesë deri në 15 vjet. Megjithatë, aktivitetet e fundit në lidhje me Ballkanin Perëndimor, siç ishte Konferenca në Berlin, tregon se rajoni është pjesë e agjendës së BE-së. “Cilado përbërje e Komisionit Evropian mund të caktojë prioritete, por jo edhe t'i ndryshojë postulatet kryesore”- ka nënvizuar Besimi.
Ai, potencoi se në raportin e radhës nga KE, pret shqyrtim objektiv të situatave në Maqedoni dhe të theksohet përparimi i arritur në sferat e caktuara dhe atje ku duhet më tepër të punohet, siç është gjyqësia, liria e shprehjes, reformat zgjedhore, fushatat qeveritare, dialogu politik dhe marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfqinjësore.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Besimi tha se kontesti për emrin me Greqinë, për të cilën Athina e bllokoi eurointegrimin e Maqedonisë, mbetet të zgjidhet në kuadër të KB-së.
"Iniciativa e Merkelit dhe iniciativat tjera të ngjashme, shpresojmë se do të ndihmojnë të arrihet dialog më intensiv për zgjidhjen e kontestit. Për çdo rast pritet dialog më intensiv për tejkalimin e kontestit. Është e rëndësishme në raportin e radhës të KE-së përsëri të ketë rekomandim për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE"- tha Besimi.
Brifingu i sotëm është pjesë e takimeve të rregullta të zëvendëskryeministrit me gazetarët, ndërsa mbahet njëzetë ditë para publikimit të raportit të ri të KE-së për progresin e Maqedonisë në procesin e eurointegrimit. (Mefail Ismaili, TVM2)
