Botë

Hong Kong, protestat nuk ndalen, policia hedh gaz lotsjellës

28.10.2019 11:44

Vazhdojnë protestat anti-qeveritare në Hong Kong...

Policia mbrëmë përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit në një lagje turistike, gjë që solli deri te përleshjet që zgjatën disa orë në territorin autonom kinez. Protestuesit pro-demokrat vendosën barrikada në rrugë, hodhën kokteje molotov dhe dogjën hyrjen në metro.
 
Tensionet janë rritur ndërsa protestuesit u pritën nga forca të mëdha policore, sjellja e të cilëve në protesta është një nga arsyet e demonstratave. Protestat në Hong Kong po zhvillohen çdo fundjavë që nga fillimi i qershorit. Ato shpërthyen në shenjë pakënaqësie ndaj një projekt-ligji për ekstradim, që parashikonte ekstradimin e të dyshuarve në Pekin, por shpejt u shndërrua në një luftë për të drejtat demokratike dhe mbrojtjen e lirive për Hong Kongun, të garantuara për 50 vjetët e ardhshme në vitin 1997, kur Britania e Madhe ia dorëzoi territorin Kinës. Edhe pse qeveria tërhoqi zyrtarisht të mërkurën projekt-ligjin e diskutueshëm të ekstradimit, duke përmbushur një nga kërkesat kryesore të lëvizjes protestuese, demonstratat nuk po ndalen.