Maqedoni
Verushevski padit shtetin, kërkon 71 mijë euro dëmshpërblim për “Puç”-in
28.10.2019 14:45
Ish shefi i Policisë Sekrete dhe këshilltari aktual i kryeministrit, Zoran Verushevski, ka paditur shtetin

Ish shefi i Policisë Sekrete dhe këshilltari aktual i kryeministrit, Zoran Verushevski, ka paditur shtetin, me arsyetimin se është arrestuar dhe është mbajtur në paraburgim në mënyrë të pabazë për 11 muaj në vitin 2015 për rastin “Puç” dhe akuzën për posedim të paautorizuar të armës. Ai kërkon dëmshpërblim nga shteti prej 4 milionë e 104 mijë denarë, ose rreth 71.000 euro. Verushevski ka sqaruar para gjykatëses, Jehona Sadiku, se ndaj tij është krijuar një rast i paprecedent në historinë e shtetit.
“Jam akuzuar në mënyrë të pabazuar për vepra më të rënda për tradhti dhe spiunim deri në akuzë monstruoze për pedofili dhe diskreditim personal”,- tha Verushevski, duke aluduar se e gjithë kjo i është motuar nga Prokuroria dhe Policia. Rasti “Puç” u hap në janar të 2015 nga qeveria e kaluar, kur ish shefi i atëhershëm i opozitës, kryeministri aktual, Zoran Zaev, filloi me publikimin e të ashtuquajturave “bomba”.
Në këtë rast, përveç Verushevskit, të akuzuar ishin edhe lideri i LSDM-së, bashkëshortja e Verushevskit, një i punësuar në komunën e Strumicës dhe një ish i punësuar në MPB. Nga Gjykata Themelore Qytetare informojnë se vendimin në bazë të kërkesës së Verushevskit do ta publikojnë më 4 nëntor.
