SHBA-të me ambasador të ri në Maqedoni
Interes i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian është që ta mbështesim Maqedoninë në rrugën e saj euroatlantike........

Kështu ka deklaruar ambasadori i ri i SHBA-ve në Maqedoni, Xhas Bejlik, gjatë nominimit të tij në Komitetin për Marrëdhënie të Jashtme të Senatit. Ai tha se është i njoftuar me problemin që ka Maqedonia rreth emrit me Greqinë, duke shtuar se me përvojën e tij do të ndihmojë në tejkalimin e këtij ngërçi që po zgjat me dekada.
“Krejtësisht jam i njoftuar me kontestin rreth emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, i cili ka rezultuar me ngecjen e pranimit në NATO dhe BE. Nëse e marr detyrën e ambasadorit të ri, do të angazhohem që ta vej në shërbim gjithë përvojën time diplomatike në ndihmë të Maqedonisë, për të gjetur një zgjidhje të pranueshme të përbashkët”- deklaroi i nominuari për ambasador amerikan në Maqedoni, Xhas Bejli.
Maqedonia është një partner në operacionet paqësore ndërkombëtare. Në vazhdimësi do të punoj në zgjidhjen e problemit, por edhe në promovimin e sundimit të së drejtës dhe të drejtave themelore, bashkëpunimin kundër terrorizmit, si dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik, theksoi në fjalimin e tij i nominuari për ambasador i SHBA-ve në Maqedoni, Xhas Bejli. Nominimi i tij do të vërtetohet në Senat, ndërsa më pas edhe në Kongres. (Naim Ramadani, TVM2)
