Maqedoni
Dimkovski: Protestat e bujqve, politikisht të motivuara
28.10.2019 15:23
Ministri i Bujqësisë, Trajan Dimkovski, i ka cilësuar si politikisht të motivuara dhe organizuara protestat e bujqve....

Thotë se pjesa dërmuese e kërkesave të bujqve që protestojnë tashmë janë realizuar, ndërsa për kërkesat e tjera, sipas tij, nuk ka nevojë për protesta, sepse bujqit mund të ulen të bisedojnë.
“Përveç që janë të motivuara, protestat gjithashtu edhe janë të organizuara, dua të them që vetë partia politike tha se i mbështet të njëjtat, pra nuk ka dyshime rreth kësaj. Bujqit që jepnin deklarata, njëri për orizin e papastruar, ka marrë 130 mijë denarë subvencion, kurse i dyti për ruajtjen e dhenve ka marrë 194 mijë denarë, prej të cilave 64 mijë denarë për ruajtjen e prodhimtarisë organike”,- u shpreh ministri i Bujqësisë, Trajan Dimovski.
Dimkovski: Bujqit të mos i djegin arat, dëmtojnë veten
Dimovski u apeloi ndërkohë bujqve që të mos i djegin arat dhe mbetjet pas sezonit të korrjeve dhe vjeljeve të produkteve. U përkujton se me një veprim të tillë jo vetëm që shkaktojnë një dëm të paimagjinueshëm ekologjik dhe shtojnë rreziqet për përhapjen e zjarreve, por ndërkohë i bëjnë dëm edhe vetes dhe prodhimeve të tyre.
“Është diçka që për fat të keq vazhdon të ndodhë edhe përkundër apeleve. Bujqit kanë një zakon që të djegin atë që mbetet në arat e tyre, kryesisht në arat me oriz dhe kultura të drithërave, duke menduar se kështu arrijnë efekt më të mirë, por me këtë dëmtojnë ndjeshëm sipërfaqen e tokës, duke djegur një materie që është jashtëzakonisht e rëndësishme për riaftësimin e plloçës”,- theksoi ministri i Bujqësisë, Trajan Dimovski.
I pyetur nëse mendohet për të përdorur modelin kroat që parashikon ndërprerjen e subvencioneve për ata që djegin arat pas korrjeve, Dimovski tha se është një ndër idetë që po diskutohet, por për momentin po punohet për rritjen e vetëdijes. U apeloi komunave të shtojnë më tepër kontrollet në këtë drejtim.
BESIM ABDULLAI
