Maqedoni

Rasti "Monstra", vazhdon leximi i sms - porosive nga përgjimet

28.10.2019 15:35

Seanca gjyqësore për rastin "Monstra" ka vazhduar me leximin e SMS-porosive nga bisedat e përgjuara...

Në mesin e SMS - porosive u lexua edhe biseda e zhvilluar në mes kryetarit të BDI-së, Ali Ahmetit, me zëvendësministrin e atëhershëm të punëve të brendshme, Xhelal Bajramin. Në bisedën e zhvilluar mes bashkëbiseduesve disa ditë pas vrasjes së pesëfishtë në Smillkovë, Bajrami i shpjegon Ahmetit se bëhet fjalë për vrasje profesionale, e cila pas vetes nuk ka lënë dëshmi.
 
"Presim kryetar, nuk ka dëshmi të forta. Qartë shihet se kanë qenë profesionistë, edhe kryeministrit i thashë: nuk ka ndodhur që kështu të ekzekutojnë fëmijë pas shpine. Këtë nuk e ka pasur as lufta e Kosovës e as ajo e 2001-it. Nëse dikush do të dëshironte destabilizim, do të sulmonte persona të uniformuar dhe stacione policore. Kjo mua më ngjan në skena nga lufta e Jugosllavisë. Kanë qenë profesionistë, nuk kanë lënë gjurmë, përveç atyre në gomat e veturës",- i thotë ish zëvendësministri Bajrami, kryetarit të BDI-së, Ali Ahmetit. Xhelali më tej sqaron se janë gjetur edhe dy gjurma brenda veturës, por që nuk korrespondojnë me ata persona që deri atëherë janë thirrur në pyetje.
 
Në mesin e porosive të lexuara kishte edhe biseda private të zhvilluara mes të akuzuarve, të cilët kanë lidhje familjare mes vete. Për zbardhjen e këtij rasti, Prokuroria ka propozuar 133 mijë dëshmi nga përgjimet, ku bëjnë pjesë biseda, transkripta, SMS porosi dhe dëshmi të tjera materiale. Për vrasjen e  pesëfishtë  në Smillkovë, e cila ka hyrë në vitin e tetë të moszgjidhjes, akuzohen 6 persona. 
 
Pas vendimit për burg të përjetshëm, Gjykata Supreme ktheu lëndën në rigjykim, për shkak të ankesave për vajtjen e procedurës gjyqësore dhe paraqitjen e dëshmive të reja nga përgjimet, në atë kohë të publikuara nga lideri i opozitës.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI