Maqedoni
KShZ e gatshme për zgjedhje, Derkoski: Lista e votuesve është e përditësuar
28.10.2019 16:54
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve po bën përgatitje për zgjedhjet e parakohshme parlamentare...

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve po bën përgatitje për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të paralajmëruara nga partitë politike edhe pse juridikisht një vendim i tillë nuk është marrë ende. Sipas kreut të këtij institucioni, Oliver Derkovskit, KShZ është e gatshme të zbatojë zgjedhjet në çdo kohë dhe sipas çdo modeli që do të vendoste Kuvendi. Sa i përket Listës së Zgjedhësve, Derkoski siguron se nuk ka votues imagjinar dhe se ky dokument përditësohet në vazhdimësi.
“Lista e votuesve në vazhdimësi them se është në rregull. Nuk ka votues imagjinar. Është materie e cila po pastrohet dhe përpunohet në vazhdimësi. Ashtu siç i marrim të dhënat nga MPB, në kuartal, ashtu i përpunojmë dhe kuptohet se në listë ku keni mbi 1.8 milionë qytetarë, mund të gjeni edhe ndonjë mungesë. Megjithatë kjo është ulur në kuadër të arsyeshëm”,- theksoi kryetari i KShZ-së, Oliver Derkoski.
“Inkluziva”: Të drejtë vote për personat me pengesa
Vendi ngec në garantimin e të drejtës për të votuar për personat me aftësi të kufizuara. Në momentin që shpallen të paaftë për punë, u hiqet edhe e drejta e votës.
“Konventa për të drejtat e personave me pengesa në zhvillim është ratifikuar në vitin 2011, mirëpo deri tani në kuadër të rregullativës ligjore në shtet nuk është bërë asgjë. Personave me pengesa intelektuale dhe pengesa psiko-sociale ende u hiqet aftësia për punë dhe në këtë rast fshihen nga Lista e zgjedhësve sikur të mos ekzistojnë”,- theksoi Bllagica Dimitrovska nga Shoqata “Inkluziva”.
Shoqata “Inkluziva”, e cila angazhohet për të siguruar të drejtën e votës edhe për personat me pengesa në zhvillim, kërkojnë ndryshime ligjore në harmoni me Konventën, mundësi për qasje në vendvotime, por edhe mundësi për të votuar në institucione, në qendrat për kujdes dhe në familje kujdestare, ngjashëm si të sëmurët dhe të burgosurit.
SHPËTIM NUREDINI
