Maqedoni

Marrëveshja SAShK – MASh, Nedellkov: Presim ofertë konkrete nga Qeveria

28.10.2019 17:32

Ende nuk ka marrëveshje mes SAShK-ut dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës...

Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, ditë më parë paralajmëroi se do të ketë takim, por deri tek Sindikata ende nuk ka ardhur ndonjë ftesë zyrtare për takimin ku do të diskutohej për rritje të mëtejshme të pagave.
 
Nga SAShK këmbëngulin se kërkesat e tyre janë të arsyeshme dhe bazohen në analiza. Thonë se radhën për ofertë konkrete e ka qeveria. 
 
“Edhe po t’i fitojmë këto mjete që i kërkojmë, e të cilat jam i bindur se do t’i fitojmë, përsëri do të na mungojë një përqindje e madhe për harmonizimin e pagave. Nuk e di se ku bazohet ai optimizëm se do të gjendet zgjidhje duke mos pasur ndonjë ofertë konkrete. Ne si sindikatë e dimë se çfarë na takon, ndërsa qeveria është ajo e cila duhet të sigurojë mjete në përputhje me rregullativën aktuale ligjore”,- theksoi kryetari i SAShK-ut, Jakim Nedellkov.
 
Qeveria në ditën në vijim duhet të marrë vendim rreth kërkesave të sindikatës, në të kundërtën SAShK paralajmëroi se më 11 nëntor do të shpallë grevë të përgjithshme.
 
Përveç rritjes së pagave, nga SAShK kërkojnë që të përgatitet marrëveshja kolektive edhe në arsimin e lartë, të vendoset pagesë të K-15-shit dhe të paguhen orët shtesë.
 
GAZMEND KURTISHI