Botë

Negociatat, Rama kritikon BE-në: Nuk e mbajti fjalën

28.10.2019 18:24

Kryeministri, Edi Rama, gjatë një konference për politikat e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor...

Kryeministri, Edi Rama, gjatë një konference për politikat e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, e ka kritikuar edhe një herë Bashkimin Europian për refuzimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
 
Rama tha se BE e ka dëshmuar disa herë se nuk e mban fjalën, sikurse ka vepruar edhe me Kosovën.
 
“BE me vendimin e marrë apo me mosvendimin që rezultoi në fund të një debati të nxehtë mes veti në raport me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndër të tjera, dhe në radhë të parë, mendoj unë, i dha një goditje jo të vogël besueshmërisë së vetë. Duhet të jetë e vështirë për të dyja palët në procesin e dialogut që të besojnë në mundësinë e iniciativave që mund të deklarohen, por faktikisht mund të mos mbahen dhe nuk është hera e parë”,- tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
E ngarkuara me punë e Ambasadës amerikane në Tiranë, Lejla Moze Onesh, tha se Shqipëria i tha jo makinacioneve ruse e kineze të cilat kërkojnë trazira në Ballkan.
 
“Do të zbuloni që për Rusinë, Kinën, Iranin, Ballkani Perëndimor është burim që mund të shfrytëzohet dhe pastaj të flaket tej, nuk ka asgjë idealiste në qëllimet e tyre, ata duan të minojnë modelin perëndimor. Kremlini këmbëngul që të mos eksportojë asgjë përveç kaosit, Irani ka shfrytëzuar praninë në Tiranë për të shkatërruar kundërshtarët. Shqipëria ia ka bërë të qartë Kinës, se disa gjëra nuk janë në shitje dhe ka refuzuar makinacionet ruse”,- theksoi e ngarkuara me punë e Ambasadës amerikane, Leyla Moses Ones.
 
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, pranoi se nga vendimi i Këshillit Europian për negociatat, ka pasur shumë zhgënjim në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut.
 
LULJETA NDOKA