Botë
Protesta në Irak, disa të vrarë dhe të plagosur
29.10.2019 10:50
Së paku 18 njerëz u vranë dhe mbi 800 u plagosën pasi forcat irakiane të sigurisë hapën zjarr kundër protestuesve në qytetin e shenjtë të Qerbelasë....

Burimet spitalore dhe të sigurisë thanë se dhuna u zhvillua gjatë natës. Iraku është përfshirë nga vala e dytë e protestave brenda një muaji, kundër qeverisë së kryeministrit, Adel Abdul Mahdi, e cila akuzohet për korrupsion. Protestuesit janë të zemëruar edhe me papunësinë e lartë dhe mungesën e shërbimeve themelore publike. Së paku 250 njerëz janë vrarë që nga fillimi i protestave në javën e parë të tetorit.
Këto protesta - që janë më vdekjeprurëset prejse grupi militant Shteti Islamik është shpallur i mundur në Irak në vitin 2017 - shihen si sfida e parë e madhe për qeverinë e Mahdit, e cila ka ardhur në pushtet gati një vit më parë. Kleriku shiit populist, Moqtada al-Sadr, i cili e ndihmoi koalicionin e Mahdit të marrë pushtetin, bëri thirrje të hënën për zgjedhje të parakohshme.
Iraku ka një popullsi prej afro 40 milionë banorësh dhe është prodhuesi dhe eksportuesi i pestë më i madh i naftës në të gjithë botën, por shkalla e varfërisë së përgjithshme vlerësohet të jetë mbi 20 për qind.
