Integrimet, Orav takon Ahmetin dhe Thaçin
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoni, Aivo Orav, ka qëndruar sot në Tetovë për t’u takuar me kreun e BDI-së, Ali Ahmetin, dhe atë të PDSH-së, Menduh Thaçin, në prag të raportit të progresit të Komisionit Evropian.......
Në takimin në selinë blu, lideri i BDI-së theksoi besimin e tij që ekipi i ri në Bruksel do të intensifikojë përpjekjet për ta ndihmuar Maqedoninë në zgjidhjen e kontestit të emrit, për të mundësuar marrjen e datës për fillim të negociatave.
Ahmeti, shprehu bindjen që raporti i progresit do të jetë pasqyrë reale e gjendjes në vend dhe që do ta përfshijë rekomandimin për marrjen e datës. Për sa i përket ndryshimeve kushtetuese, Ahmeti nënvizoi se do të priten vlerësimet e Komisionit të Venedikut, si dhe analiza e Bashkimit Evropian për përputhshmërinë me legjislaturën e BE-së.
Ahmeti, gjithashtu kërkoi mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar për procesin “Monstra”, për ekspertizë ndërkombëtare të provave gjatë apelit dhe shprehu shqetësim për zvarritjen e procedurave në Gjykatën e Shkallës së Parë.
Bashkëbiseduesit folën edhe për mungesën e opozitës në kuvend, me ç’rast Ahmeti vlerësoi që arsyetimet e opozitës për të bojkotuar parlamentin nuk qëndrojnë dhe që LSDM dhe PDSH duhet të respektojnë pjesën e tyre të përgjegjësisë për të ardhmen e vendit dhe të kthehen në kuvend sa më parë.
Mungesa e opozitës në kuvend është diskutuar edhe në takimin mes ambasadorit Orav dhe kreut të PDSH-së, Menduh Thaçit.
Orav ka kërkuar kthimin e opozitës në kuvend. Kreu i PDSH-së ka potencuar se partia që ai drejton do të jetë gjithnjë në mbështete të aspiratave integruese të Maqedonisë. Thaçi, theksoi se shqiptarët nuk heqin dorë nga përqafimi i vlerave evropiane, të tilla si BE-ja dhe NATO-ja.
