Maqedoni
Maqedonia e Veriut pas Samitit, Osmani: Vazhdojmë në këtë rrugë. Dimitrov: S’kishte energji politike për zgjerimin. Milloshoski: Përgjegjësi, jo arsyetime
29.10.2019 17:07
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, dhe shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov....

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, dhe shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov, shpalosën vështrimet e tyre mbi proceset eurointegruese, pas Samitit të Këshillit Evropian.
“Ndjenja e zhgënjimit nga ana Bashkimit Evropian nuk duhet të na largojë nga vlerat evropiane, sepse rruga jonë e vetme është perspektiva evropiane”, tha zëvendëskryeministri Osmani në Komisionin për Çështje Evropiane.
“Konsensusi i shpejtë dhe i paluhatshëm që u arrit mes të gjithë liderëve në takimin te kryetari, me të cilin konfirmohet orientimi ynë drejt BE-së dhe NATO-s, tregon se vendi ka ndërtuar pjekuri të dinjitetshme politike si vlerë e përhershme evropiane. Mund të obligohemi se në këtë rrugë do të vazhdojmë edhe më tej”,- u shpreh zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.
Sipas ministrit të jashtëm, vendi u bë gati për fillimin e negociatave kur në BE filloi të venitet ky vullnet. Për kohën e humbur në këtë proces, Dimitrov akuzoi pushtetin e kaluar.
“Nuk kishte energji politike për zgjerimin. Atëherë kur kishte, ne ndërtonim përmendore në sheshin rreth Kuvendit. Na ikën trenat, atëherë kur BE ishte e gatshme. Tani, ne jemi të gatshëm. Nuk them se nuk bëjmë gabime, por është e qartë se disa liderë evropianë mund të mësojnë nga lidershipi ajo që bëmë në marrëdhëniet ndërfqinjësore”,- tha ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov.
Mirëpo opozita maqedonase nuk pranon arsyetime. Kërkon përgjegjësi politike për mosrealizimin e premtimit.
“Në vend të dorëheqjeve dhe përgjegjësisë morale, sot, Osmani dhe Dimitrov edhe një herë do t’ju ofrojnë sqarime manipuluese. Jam i sigurt se do të tërhiqen nga deklaratat e tyre, para një viti, për marrjen e datës, por nuk do të tërhiqen nga kolltuqet e tyre ministrore”,- theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski.
Opozita maqedonase e braktisi seancën pasi e konsideroi si festë të pushtetit për të kamufluar dështimin. Deputetët e VMRO-DPMNE-së paralajmëruan se vlerësimet e tyre do t’i japin të mërkurën në Komisionin për Punë të Jashtme.
SHPËTIM NUREDINI
