Pallmer: Mbështesim perspektivat evropiane të RMV-së

29.10.2019 17:44

Në një atmosferë miqësore, përfaqësuesi special i sekretarit shtetëror amerikan për Ballkanin Perëndimor, Metju Pallmer...

Në një atmosferë miqësore, përfaqësuesi special i sekretarit shtetëror amerikan për Ballkanin Perëndimor, Metju Pallmer, në Ministrinë e Punëve të Jashtme siguroi ministrin, Nikolla Dimitrov, për mbështetjen amerikane për anëtarësimin e vendit në BE.

Pallmer pas takimit theksoi se me ministrin kanë folur edhe për anëtarësimin e vendit në NATO si dhe zhvillimet në rajon.

“Është kënaqësi të jem këtu në Shkup, për të folur për zhvillimet aktuale në rajon, në Evropë. Vijë këtu pasi Senati amerikan ratifikoi protokollin anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe pas vizitës së sekretarit shtetëror Pompeo. Jam këtu të shpreh mbështetjen e fuqishme amerikane ndaj Maqedonisë së Veriut për rrugëtimin dhe perspektivat evropiane”,- tha përfaqësuesi special i sekretarit shtetëror amerikan, Metju Pallmer.

Dimitrov: Evropa stabile, jo me një Ballkan të lënduar

Dimitrov është shprehur se drejt rrugës evropiane duhet ecur me optimizëm. Hapja e kapitullit evropian, sipas tij, është në interes të vendit, ShBA-ve, por edhe stabilitetit të Evropës.                                                         

“Duhet të përpiqemi të mënjanojmë edhe arsyetimin e fundit, ky është Ligji për Prokurori Publike dhe herën tjetër të dalim edhe më të përgatitur dhe më këmbëngulës. Duhet të gjejmë mënyrë që të adresojmë sikurse brengosjet e shteteve anëtare të BE-së, por edhe interesin tonë, pasi që kemi interes të përbashkët. Rajoni është pjesë e Evropës dhe s’mund që Evropa të jetë e suksesshme, stabile dhe e fortë nëse rajoni mbetet i lënduar. Kjo është detyra jonë, të gjejmë forca, të dëshmojmë se jemi të pjekur dhe fuqishëm të vendosur, të jemi fitues e jo viktima”,- tha ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov.                                                                            

Pallmer në Shkup takoi edhe ministren e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, dhe presidentin, Stevo Pendarovski. Shkupi është stacioni i parë i turit ballkanik të zyrtarit amerikan, pasi ai do të vizitojë edhe Beogradin, Prishtinën dhe Athinën. (Meral Ismaili, TVM2)