Skocezët në referendum për pavarësi

18.09.2014 17:44

Skocia, sot është në proces të një zhvillimi historik, ku në bazë të referendumit, i cili po mbahet, skocezët do të vendosin nëse vendi i tyre duhet të pavarësohet dhe të ndahet nga bashkëjetesa 307 vjeçare me Britaninë e Madhe, apo të vazhdojë të mbetet e bashkuar me të......

Vendet e votimit janë hapur që në orën 7 të mëngjesit dhe mbyllen në orën 20:00, ku numri i votuesve pritet të jetë shumë i lartë, me më shumë se 4.2 milion të regjistruar për të votuar. Kjo i ka ndarë skocezët me kampanjat e tyre për disa muaj, një pjesë që bënte fushatë për “po”, dhe tjetra për “jo”.

Ministri i parë i Skocisë, Alex Salmond, njëherësh lider i Partisë Kombëtare Skoceze, që ka synime separatiste, e ka përshkruar referendumin si mundësi “njëherë në jetë”.

“Gjëja më e mahnitshme që kam parë në gjithë këtë referendum ishte disa javë më parë, në Dundee, kur ishin këta burra dhe gra duke u regjistruar për të votuar. Ata ishin njerëz prej moshës 30-50 vjeç, fola me ata dhe me padurim pritnin të vendosin firmën e tyre, me qëllim që të sigurohen se kjo mundësi, e cila ju vjen një herë në jetë, mos të ju humbet”- deklaroi ministri i parë i Skocisë, Alex Salmond.

Kryeministri britanik, David Cameron, në apelin e tij për votuesit e Skocisë tha se do të ishte “krejtësisht me zemër të thyer” nëse Skocia largohet nga unioni. Ai iu bashkua të dy liderëve të tjerë kryesorë të partive unioniste, Demokratëve Liberalë dhe Partisë Laburise në opozitë, në nënshkrimin e një premtimi për transfer të më tepër të drejtave për Parlamentin e Skocisë, në sektorët kryesorë. Mbështetësit e pavarësisë i kanë hedhur poshtë këto premtime, si dëshmi e panikut në fushatën “më mirë do të jetë së bashku”.

Ndryshe, sondazhet e fundit të opinionit u japin përparësi mbështetësve të bashkimit me rreth 52 për qind, kundrejt atyre që duan ndarjen me 48 për qind. Meqë ky dallim është tejet i vogël, të dy palët rivale kanë zhvilluar fushatë intensive për të ndikuar te votuesit, që ende nuk janë të vendosur se cilin opsion ta mbështesin. (Leunora Kaliqi, TVM2)