Maqedoni

Vazhdon dialogu social, SAShK dhe MASh nuk arrijnë marrëveshje. SAShK: Marrëveshje, ose greva nis më 11 nëntor

29.10.2019 18:16

MASh dhe SAShK nuk arritën marrëveshje pas refuzimit të propozimit të Qeverisë për rritjen e pagave për 10 për qind...

MASh dhe SAShK nuk arritën marrëveshje pas refuzimit të propozimit të Qeverisë për rritjen e pagave për 10 për qind me fillim nga muaji prill i vitit 2020.
 
Sipas kryesisë së SAShK-ut, përqindja më e madhe e anëtarësisë insistojnë për rritjen e pagave me fillim nga muaji janar i vitit 2020, por edhe për rritje më të lartë se 10 për qind. Në këtë takim u shqyrtuan më shumë alternativa, por nuk pati marrëveshje, përveç se u potencua se dialogu social vazhdon.
 
“Gjatë takimit kemi shqyrtuar më tepër opsione, më tepër modalitete, më tepër alternativa se si të evitohet organizimi i grevës, propozimi ynë është serioz dhe nënkupton ngritje historike të pagave në sektorin e arsimit, si asnjëherë më parë pesë për qind në vitin 2018, pesë për qind në vitin 2019 dhe dhjetë për qind nga 1 prilli i vitit 2020, mirëpo kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet të dialogojmë të shikojmë opsione alternativa të tjera të cilat përmirësojnë me të vërtetë statusin e të punësuarve në sektorin e arsimit”,- tha ministri i Arsimit, Arbër Ademi.
 
Nga SAShK shpresojnë se deri më 10 nëntor do të arrihet marrëveshje, në të kundërtën, më 11 nëntor starton greva gjenerale në arsim.
 
“Bindja jonë është se ministri dhe qeveria do bëjnë përpjekje maksimale që do të dalin me propozim që do jetë i pranueshëm për SAShK-un, në të kundërtën, pasi që t’i kemi shfrytëzuar të gjitha mjetet tona sindikale, do jemi të detyruar që të drejtat tona t’i realizojmë përmes organizimit të grevës gjenerale”,- tha kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedellkov.
 
Nga MASh megjithatë shpresojnë se nuk do ketë grevë dhe se do të gjendet opsion i pranueshëm për të dyja palët. Takimi i radhës mes MASh-it dhe SAShK-ut do të realizohet deri në fund të kësaj jave. 
 
FLUTURA LATIFI