Maqedoni

Zaev, në Romë dhe Bruksel

29.10.2019 18:37

Politika e zgjerimit të BE-së, metodologjia e re e kërkuar nga Franca për zhvillimin e negociatave...

Politika e zgjerimit të BE-së, metodologjia e re e kërkuar nga Franca për zhvillimin e negociatave,  në diskutim mes kryeministrit Zaev dhe homologut të tij italian, Gjyzepe Konte, në Romë dhe  në Bruksel me përfaqësuesen e lartë për politikë të jashtme në ikje, Federica Mogherini. 
 
Kryeministri, Zoran Zaev, dërgon mesazhin se Maqedonia e Veriut nuk do të pranojë alternativë tjetër përveç integrimit në Bashkimin Evropian.
 
“Maqedonia e Veriut e udhëhequr nga Zaev është shembull për të gjitha vendet ballkanike. Me guxim i zgjidh të gjitha problemet. Ka mbështetje të madhe nga Italia. Falë këtij guximi, Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtare e NATO-s. Për këtë lejuam që vendi të anëtarësohet në NATO. Për këtë Maqedonisë së Veriut duhet t’i lejohet edhe më tej të ecë drejt Europës. Kjo nuk do të thotë menjëherë hyrje në BE, por përmes 35 kapitujve në negociata… Maqedonia e Veriut është anëtare e 31 e NATO. Shkupi meriton të anëtarësohet në Bashkimin Europian, negociatat nisën që në vitin 2005. Nuk i kuptojmë arsyet konkrete për moshapjen e negociatave. Dhe kjo vlen edhe për Shqipërinë”,- tha kryeministri i Italisë, Gjyzepe Konte.
 
“Dëshirojmë të përmirësojmë marrëdhëniet me vendet fqinje dhe ta bëjmë vendin tonë modern. Dëshirojmë të krijojmë të gjitha kushtet për të qenë anëtar të Bashkimit Europian, ashtu si na kërkojnë 85 për qind e qytetarëve tanë”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri në ikje, Federica Mogherini, do të diskutojë me gjashtë  kryeministrat e vendeve ballkanike për  çështjet aktuale në rajon. 
 
“Pritet që përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe liderët të shkëmbejnë mendime për zhvillimet në rajon. Të diskutojnë për sfidat aktuale si dhe të bisedojnë për atë që është arritur në periudhën pesevjeçare”,- u shpreh zëdhënësja e KE-së, Maja Kociançiq.
 
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për implementimin e Marrëveshjes së Prespës, Kociançiq thotë se BE është e bindur se dy shtetet do të implementojnë marrëveshjen ashtu siç është e rregulluar në pajtueshmëri mes dy shteteve.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU