Maqedoni

Tetovë, debat rreth vetërregullimit të mediave

29.10.2019 19:01

Përfaqësues të Këshillit të Etikës së Mediave në Maqedoninë e Veriut, sot debatuan në UEJL...

Përfaqësues të Këshillit të Etikës së Mediave në Maqedoninë e Veriut, sot debatuan në UEJL, për rëndësinë dhe perspektivat e vetërregullimit të mediave si koncept i ri dhe bashkëkohorë.
 
“Ne sot organizuam një debat në UEJL me studentët me përfaqësues të organizatave joqeveritare  me përfaqësues të institucioneve të ndryshme për të promovuar konceptin e vetërregullimit në media, që është një koncept i ri, një koncept bashkëkohor, që ka parasysh të eliminojë ose të mënjanojë sado që është e mundur sa i përket standardëve dhe normave etike. Faktorët tjerë shtetërorë legalë dhe faktorët institucionalë, siç janë ligjet e mediave apo organi rregullator, që është Agjencia e Mediave dhe në një farë forme vetë gazetarët me përfshirjen e pronarëve  dhe përfaqësuesve të sektorit civil të mund të promovojnë gazetarinë e mirë, gazetarinë profesionale dhe të bëjnë dallimin e gazetarëve në jogazetarë”,- tha profesori universitar, Sefer Tairi.
 
Drejtoresha ekzekutive e Këshillit të Etikës në Mediat në Maqedoninë e Veriut, Marina Tuneva, tha se qëllimi i këtij debati është që të diskutohet me qytetarët dhe studentët se cili është informimi real gazetaresk.
 
“Këto debate na mundësojnë të kemi komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët , t’i dëgjojmë hallet e tyre dhe të na ndihmojnë në demistifikimin e profesionit të gazetarisë, me qëllim që ta kuptojmë se si ato e shohin gazetarinë, që të shohim nëse gazetaria e luan rolin e vet në mbrojtje të popullatës dhe nëse informojnë në atë mënyrë që t’i plotësojnë pritshmëritë e qytetarëve. Me këtë proces gjithashtu mësojmë se si përjetohet periudha e vetërregullimit në media”,- tha Marina Tuneva. 
 
Edhe Tuneva dhe Tahiri ishin të të njëjtit mendim, se vitet e fundit ka shkelje të shumta gjatë raportimit, sidomos në mediumet elektronike apo ueb portalet të cilat plasojnë lajme të pakonfirmuara.
 
VISAR SADIKI