Botë
Britani, zgjedhje të përgjithshme më 12 dhjetor
30.10.2019 09:56
Britania e Madhe do të mbajë zgjedhje të përgjithshme më 12 dhjetor të këtij viti...

Britania e Madhe do të mbajë zgjedhje të përgjithshme më 12 dhjetor të këtij viti, pasi deputetët britanikë kanë përkrahur thirrjen e kryeministrit e shtetit, Boris Johnson për të shkuar në zgjedhje. Deputetët e parlamentit britanik kanë miratuar legjislacionin e Johnsonit për t’iu hapur rrugën zgjedhjeve. Megjithatë, ky projektligj duhet të miratohet edhe nga lordët, që më vonë do ta kthente këtë dokument në ligj deri në fund të javës.
Në rast se ndodh një gjë e tillë, fushata zgjedhore do të zgjasë për pesë javë. Kryeministri britanik ka thënë se publiku duhet “të zgjedhë” për të ardhmen e Brexitit, apo largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian, por edhe të gjithë shtetit. Johnson ka thënë se shpreson që zgjedhjet do t’i japin atij një tjetër mandat për t’i dhënë fund krizës në Britani rreth Brexitit, çka ka ndikuar në shtyrje të finalizimit të Brexitit deri më 31 janar të vitit të ardhshëm.
Lideri i laburistëve opozitarë, Jeremy Corbyn ka thënë se “këto zgjedhje janë mundësi që ndodh një herë në gjeneratë për të transformuar shtetin tonë”. Sipas tij, Partia Laburiste do të lansojë fushatën më ambicioze dhe radikale për ndryshim të vërtetë që ka pasur Britania ndonjëherë.
