Maqedoni

Ambasadori Gerberich: Implementoni reformat, që të bindni skeptikët në BE

30.10.2019 14:15

Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë me implementimin e reformave në mënyrë që të pastrojë...

Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë me implementimin e reformave në mënyrë që të pastrojë dilemat e atyre vendeve që mendojnë se nuk është e gatshme t’i fillojë negociatat aderuese, deklaron ambasadori i Gjermanisë, Tomas Gerberich. BE, në anën tjetër, sipas tij, duhet të mbajë premtimet për perspektivën evropiane për RMV-në, sepse kjo do të stimulonte vendin të koncentrohet në realizimin e kushteve dhe prioriteteve strategjike eurointegruese.
 
“Për Gjermaninë hapja e bisedimeve mes BE-së dhe RMV-së ishte dhe mbetet çështja kryesore për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës. Është në interes të BE-së të integrohen të gjitha vendet e Ballkanit në BE. Që të ketë sukses ky qëllim, duhet patjetër t’i plotësojmë premtimet tona për perspektivë evropiane. Kjo është mënyra më e mirë për t’u implementuar reformat,  sundimi i ligjit dhe kushtet për prosperitet, stabilitet dhe siguri në Evropë. Shpresojmë se RMV do t’i përforcojë reformat dhe kështu t’i bind edhe ata që kanë dilema se ju e keni vendin në BE”,- tha ambasadori i Gjermanisë, Thomas Gerberich.
 
Edhe përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri në largim, Federica Mogherini, në darkën e lamtumirëse me liderët e Ballkanit të martën në mbrëmje në Bruksel, ka thënë se duhet të vazhdojë perspektiva evropiane për Ballkanin Perëndimor. Sërish është shprehur keqardhje që RMV dhe Shqipëria nuk morën datë për fillimin e negociatave. Mogerini dhe të gjithë liderët e rajonit, ku mungonte vetëm kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kanë biseduar po ashtu për të arriturat në pesë vitet e fundit ndërmjet BE-së dhe vendeve të Ballkanit perëndimor, duke përsëritur përcaktimin e fuqishëm të reformave që shpien në dyert e BE-së.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU