Botë
Kosovë, ende priten rezultatet zyrtare nga zgjedhjet
30.10.2019 15:28
Kosova përfundoi më 6 tetor zgjedhjet e konsideruara si shembull i demokracisë...

Kosova përfundoi më 6 tetor zgjedhjet e konsideruara si shembull i demokracisë, por megjithëse fituesit u shpallën brenda mbrëmjes, rezultatet zyrtare ende zvarriten. Në KQZ presin vendimin e Gjykatës Supreme pas ankesës së sërishme të Vetëvendosjes për refuzimin dy herë radhazi të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, që të mos numërohen votat e diasporës të ardhura pas afatit të përcaktuar nga KQZ-ja.
PZAP ka hedhur poshtë edhe ankesën e koalicionit Nisma-AKR-PD për anulim si të parregullta të fletëvotimeve të ardhura nga Serbia dhe atyre me postë dhe ankesën e këtij koalicioni e ka cilësuar si të pasafatshme. Nisma Socialdemokrate ka thënë se do të ankohet në Gjykatën Supreme kundër këtij vendimi të PZAP-së. Në mbledhjen e së mërkurës, KQZ-ja votoi ndërkohë pro rekomandimit të koordinatorit të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve që të përfshihen në rezultate përfundimtare edhe votat e një vendvotimi ku kanë munguar 450 fletëvotime.
