Maqedoni

Deklaratat e Ruskovskës, Mickovski: Po mbron qeverinë duke trilluar. Gjyqësori do të çlirohet nga kthetrat politike

30.10.2019 17:25

Lideri i opozitës maqedonase, Hristian Mickovski, e ka vlerësuar si skandaloze paraqitjen televizive të kryeprokurores...

Lideri i opozitës maqedonase, Hristian Mickovski, e ka vlerësuar si skandaloze paraqitjen televizive të kryeprokurores për ndjekje të krimit të organizuar, Vilma Ruskovskës, e cila deklaroi se ajo e kishte informuar Mickovskin për disa zbulime në rastin “Zhvatja”.
 
Sipas Mickovskit, vërtet i është kërkuar takim përmes një mesazhi telefonik, por kur Ruskovskës i është kërkuar të vijë në selinë e VMRO-së, ajo nuk ka pranuar, më pas takimi është shtyrë e kurrë nuk është realizuar më. Mickovski akuzon Ruskovskën se është nën ndikimin e Qeverisë aktuale dhe të kryeministrit Zaev, të cilët nuk po zgjedhin metoda në tentimit për ta njollosur opozitën. 
 
“Unë e kam të qartë se pse Zoran Zaev u zhvendos kaq shumë për të gjetur një zëvendësim për Katica Janeva dhe ajo për të qenë pikërisht Vilma Ruskovska. Mbrëmë Ruskovska u përpoq të mbronte qeverinë në mënyrë skandaloze, duke trilluar gënjeshtra të pastra”,- deklaroi lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski.
 
Mickoski u zotua se sapo të kthehen në pushte, do ta çlirojnë gjyqësorin nga kthetrat e politikës.
 
“Nuk duhet që ne politikanët të përzihemi në punën e tyre. Pas fitores së VMRO-DPMNE-së, gjyqësia do të lirohet nga kthetrat e politikës. Ju bind se asnjë funksionar i VMRO-DPMNE-së nuk do të mund të ushtrojë presion ndaj gjykatësve, siç ishte rasti i kryetarit të komunës së Sarajit. Nëse kjo ndodhë, ju do të keni dorëheqjen time të parevokueshme”,- theksoi lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski.
 
Kreu i VMRO-së premton luftë pa kompromis për krimin dhe korrupsionin dhe se ndaj kësaj dukurie do të ketë zero tolerancë.
 
FITIM KRYEZIU