Xhaferi: Kuvendi shpërndahet më 11 shkurt
Mandati i deputetëve të kësaj përbërje parlamentare....

Mandati i deputetëve të kësaj përbërje parlamentare, sipas të gjitha gjasave, do të përfundojë më 11 shkurt. Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, thotë se ende nuk ka pranuar kërkesë për shpërndarje të Kuvendit, por konform marrëveshjes mes subjekteve politike në takimin te kreu i shtetit, që zgjedhjet të mbahen më 12 prill, Kuvendi duhet të shpërndahet më 11 shkurt, që kryeparlamentari të shpall zgjedhjet e parakohshme.
Konform Kushtetutës, zgjedhjet për deputetë në Kuvend mbahen në 90 ditët e fundit të mandatit të përbërjes së vjetër të deputetëve ose brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e shpërndarjes së Kuvendit. Ndërkaq, Kuvendi shpërndahet nëse për atë deklarohet shumica nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
Zaev: Do të kemi kohë për protokollin për në NATO
Vendimi përfundimtar për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve i mbetet kryeparlamentarit, konform kompetencave që ka, thotë kryeministri Zaev.
“Kryetari i Kuvendit është përfundimtar në vendimin e tij si do që të vendos të shpërndajë Kuvendin, në funksion të asaj që parasheh ligji, nga 45-60 ditë, siç jam njoftuar nga juristët. Apeli i të gjithë liderëve që ishim te kryetari Pendarovski ishte që të shfrytëzojmë këtë afat prej 45 ditë, që të kemi kohë rezervë, që pasi ta ratifikojnë protokollin për anëtarësim, të gjitha vendet, të mos ndodh që ne të mos kemi Kuvend”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Mickovski: Seancë mund të thirret edhe pas shpërndarjes
Paraprakisht, kryeparlamentari Xhaferi tha se nuk do të thërrasë seancë plenare, pas shpërndarjes së Kuvendit, vetëm për të ratifikuar protokollin. Mirëpo, kreu i opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski, bazuar në praktikën e mëparshme thotë se seancë mund të thërritet edhe pasi të ndodh shpërndarja e Kuvendit.
“Nëse shpërndahet Kuvendi, ai sërish mund të mblidhet. Kjo ka qenë praktikë për çështje urgjente të papezullueshme, që ajo pikë të mund të vihet në rend dite dhe të miratohet”,- tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Por, para miratimit të protokollit për anëtarësim në NATO, Kuvendi duhet miratojë Ligjin për mbrojtje dhe atë për shërbim ushtarak në përputhje me rregullativat e Aleancës.
Deri në fund të dhjetorit, Kuvendit duhet t’i propozohet edhe propozimi për Qeveri teknike me kompetencë organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare me mandat 100 ditë, para datës së zgjedhjeve. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
