Botë

Reforma zgjedhore në Shqipëri, Basha: Zgjidhja, vetëm përmes zgjedhjeve. Spiropali: Nuk kemi kohë për ta humbur me PD-në

30.10.2019 18:03

Teksa mazhoranca dhe pakica në Shqipëri po punojnë në dy tryeza të ndara për reformën zgjedhore, kryetari demokrat, Lulzim Basha...

Teksa mazhoranca dhe pakica në Shqipëri po punojnë në dy tryeza të ndara për reformën zgjedhore, kryetari demokrat, Lulzim Basha, duket se ka hequr dorë nga ultimatumet drejtuar Edi Rames, duke i kërkuar reflektim.
 
Megjithatë, sipas Bashës, zgjidhja do të mund të vijë vetëm përmes zgjedhjeve të parakohshme.
 
“Kjo situatë është e paqëndrueshme. Nga kjo gjendje përfitojnë një grusht njerëzish në kurriz të shqiptarëve. Dështimin me negociatat e paguajnë shqiptarët. Është koha që populli të vendoset para politikës. Rivendosja e demokracisë është kusht. Kështu nuk mund të vazhdohet më. Kemi një kryeministër i cili nuk ka asnjë ofertë për ta nxjerrë vendin nga kriza, e ka kap me thonj pushtetin. Shikoni shembullin e Maqedonisë së Veriut”,- tha kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
 
Por, mazhoranca nuk mendon kështu. Zëdhënësja e Qeverisë, Elisa Spiropali, thotë në një postim në Facebook se nuk ka kohë për të humbur me Partinë Demokratike dhe se reformën zgjedhore do ta miratojë e vetme deri në dhjetor.
 
“Ne po përgatitemi për dy sezone të reja betejash në çdo drejtim dhe për një Shqipëri më të mirë në çdo fushë të jetës. Sa më shumë Lulzim Basha dhe shumica e tij imagjinare refuzojnë dialogun për reformën zgjedhore, aq më pak kohë kemi ne për të humbur me ta. Brenda dhjetorit do të votojmë Reformën Zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR”,- shkruan Spiropali.
 
Këtij postimi i është përgjigjur sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi. Ai thotë se kushtet e Bundestagut gjerman nuk janë si trau i doganave që drejtonte Spiropali. 
 
LULJETA NDOKA