Mosmarrja e datës nga BE, Selmani: Kishim ngecje, Europa nuk i mbylli sytë
Vendimi për fillimin e negociatave para-aderuese të RMV-së me BE–në....

Vendimi për fillimin e negociatave para-aderuese të RMV-së me BE–në, është vendim politik dhe nuk ka të bëjë vetëm me mosplotësimin e detyrave. Kështu vlerësuan panelistët në “Argument” në TVM 2. Bashkim Selmani thotë se Europa nuk mbylli sytë ndaj ngecjeve në kapitujt 23-24, por bën fajtor edhe Francën që nuk sqaroi qartë se përse vuri veton.
“Nuk u rregullua çështja me kapitullin 23 – 24, që janë të rëndësishme për funksionimin e shtetit dhe së drejtës dhe Maqedonia priste se Europa në këtë rast do t’i mbyll sytë, por nuk mbyllen këto raste, sepse borxhi publik është shumë i lartë dhe borxhi publik duhet të kthehet se mosarritja e kësaj i dha Francës të vërtetojë se mosarritja e këtyre elementeve se nuk janë të përmbushura. Edhe Franca përmban përgjegjësi për ne si publik se nuk e sqaroi saktësisht se çka ka ndodhur, se cili kriter nuk është plotësuar”,- tha analisti politik, Bashkim Selmani.
Latifi: Rrezik për rikthimin e krizave në rajon
Shpëtim Latifi përkujton se rreziku nga mosanëtarësimi mund t’i rikthejë në skenë politikat nacionaliste që kanë prodhuar kriza në rajone, për këtë pjesë thonë se ShBA-të janë më të vetëdijshme se vendet e BE-së.
“Asnjëherë RMV nuk mund t’i përmbyll të gjithë kapitujt, sepse gjithmonë do të promovojmë kriza, se ne jemi të aftë të prodhojmë kriza çdo moment, edhe atëherë kur nuk pritet. ShBA-të për momentin janë më të vetëdijshëm se secili shtet tjetër i BE-së, për rreziqet e mosintegrimit të rajonit jo vetëm të RMV-së në BE dhe ai erdhi për ta potencuar që aderimi në NATO është çështje teknike e muajve se kur do ndodhë”,- tha profesori universitar, Shpëtim Latifi.
Zgjedhjet e parakohshme, analistët: Lista të hapura, programe konkrete
Mosmarrja e datës solli vendimin e kryeministrit për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, por çfarë zgjidhje konkrete ofrojnë këto zgjedhje? Analistët thonë se është koha të mendohet për cilësi, e janë pro listave të hapura.
“Në listë të hapur nuk është fare me rëndësi se në cilën pozitë je në listë, po do të marrësh vota aq sa popullata të votojë. Te ne nuk ndodh ajo dhe nuk ka disponim që të ndodh nga partitë e mëdha, për shkak se unë kam frikën që edhe një pjesë e liderëve mund të mos zgjidhen në parlament, pavarësisht që do të jenë në vendet e para në listë, apo do të fitojnë në zgjedhje persona tjerë që popullata i sheh si kredibilë, të aftë me kredibilitet profesional për t’i përfaqësuar ata”,- theksoi profesori universitar, Shpëtim Latifi.
“Si të bindemi ne për ta votuar opozitën kur opozita insiston prej rrjeteve sociale ta rrëzojë z. Ali Ahmetin apo dikë tjetër, ose LSDM-në, pra nuk ka ndonjë strategji të dalë dhe ta dijë se ku duhet të ndërhyhet”,- theksoi profesori universitar, Bashkim Selmani.
Profesorët, Selmani dhe Latifi, dakordohen se është koha që partitë të ofrojnë programe konkrete për përmirësimin e standardit të qytetarëve të përmbahen nga fushata ku për të fituar vetëm shajnë kundërshtarët politikë. (Flutura Latifi, TVM2)
