Dimitrov: Opozita të mos bëhet pengesë për reformat
Ministri i jashtëm, NIkolla Dimitrov, doli para deputetëve në Komisionin parlamentar....

Ministri i jashtëm, NIkolla Dimitrov, doli para deputetëve në Komisionin parlamentar për politikë të jashtme për të dhënë raport për punën e tij dhe për çështjen më të nxehtë aktualisht, përse vendi nuk mori datë për fillimin e bisedimeve.
Dimitrov konsideron se vendi edhe në këtë periudhë në pritje të vendimit të ri në Samitin e Zagrebit, duhet të tregojë se ka kapacitet për reforma dhe i kërkoi opozitës të mos bëhet pengesë në këtë drejtim, por t’i japë mbështetje Ligjit për Prokurorinë Publike.
“Në qoftë se duam ta heqim edhe arsyetimin e fundit, duhet ta miratojmë këtë ligj. Nga Holanda kemi linja të kuqe të qarta. Rastet e PSP-së të mos humben në rrugën nga Specialja deri te Prokuroria Publike”,- tha ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov.
Tensione në Komisionin kuvendor, Milloshovski: Nuk duan që t’u kritikohet ministri
Deputeti i BDI-së, Artan Grubi, erdhi me vonesë në Komision dhe kërkoi stenogramet dhe pushim njëorësh për të parë se çfarë është diskutuar deri në atë moment. E kjo kërkesë tensionoi situatën. Kreu i Komisionit, Antonio Milloshovski, akuzoi partitë e maxhorancës së janë dakorduar të shtyhet seancë për të shpëtuar Dimitrovin nga llogaridhënia dhe kritikat, për mossuksesin katastrofal që e përjetoi vendi në Bruksel.
“Kërkesa është që mediat të largohen që mos të ketë interes te mediat për ti dëgjuar pyetjet dhe kritikat me qëllim që mos të ketë përgjegjësi për atë që dje e kemi kërkuar nga ministri Dimitrov dhe nga zv.kryeministri, Bujar Osmani” – tha Antonio Milloshoski nga VMRO DPMNE.
Grubi: Kërkesa, e bazuar në rregulloren e Kuvendit
Grubi mbrojti kërkesën e tij me rregulloren e Kuvendit.
“Ky nuk është sulm, por është në pajtueshmëri me regulloren, dhe më tregoni se ku është thyer rregullorja përveç se aty ku ju nuk e respektoni, dhe e keni patjetër të jepni pauzë dhe të përgatitni stenogramet nga dalja e ministrit që të mundemi të gjithë të jemi të përgatitur” – u shpreh Artan Grubi nga BDI.
Ministri Dimitrov para deputetëve në komision ripërsëriti se BE kërkon vlerësim individual të arritjeve. Ai thotë se çështja sërish do të rishikohet në Bruksel, deri në samitin e ardhshëm të BE-së, që mbahet në maj në Zagreb. (Besim Abdullai, TVM2)
