Maqedoni
Palmer, takime me kryeministrin Zaev
31.10.2019 11:19
Përfaqësuesi special i sekretarit amerikan të shtetit për Ballkanin Perëndimor, Metju Palmer...

Përfaqësuesi special i sekretarit amerikan të shtetit për Ballkanin Perëndimor, Metju Palmer, në përmbyllje të vizitës së tij në Shkup ka takuar kryeministrin, Zoran Zaev. Pas takimit me kryeministrin zyrtari amerikan deklaroi se SHBA është vend mik dhe partner i Maqedonisë së Veriut. Ai e riafirmoi edhe njëherë mbështetjen e SHBA-së për integrimin në BE dhe kjo u përcillet edhe partnerëve europianë.
“Kishim bisedë të mirë për zhvillimet e fundit këtu në Maqedoninë e Veriut, në Bruksel dhe rajon. E riafirmuam përkrahjen e SHBA-ve për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE dhe perspektivën evropiane. Kjo është diçka që e themi qartë këtu në Shkup dhe po ashtu do të vazhdojmë ta themi qartë edhe te partnerët tanë evropianë. Jemi mbledhur këtu në Shkup me ambasadorët amerikanë në Ballkanin perëndimor për diskutime rreth çështjeve rajonale dhe kjo ishte një mundësi e mirë t’i shkëmbejmë perspektivat”,- tha Palmer.
