Palmer: ShBA-të ju mbështesin në rrugën integruese
ShBA-ja është partnere e Maqedonisë së Veriut....

ShBA-ja është partnere e Maqedonisë së Veriut dhe do të vazhdojë ta mbështesë në rrugën e saj euroatlantike. Këtë qëndrim e riafirmoi i dërguari i posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Metju Palmer, në përmbyllje të vizitës së tij në Shkup, gjatë takimit me kreun e qeverisë, Zoran Zaev.
Për të arritur integrimin e plotë të RMV-së në NATO dhe BE, Palmer thekson nevojën e partneritetit dhe bashkëpunimit me Shkupin dhe miqtë evropianë.
“Është kënaqësi që Senati amerikan miratoi instrumentin për ratifikimin e integrimit në NATO. Presim së shpejti vendi juaj të bëhet anëtare e 30 e NATO-s. Vërtetuam përkrahjen amerikane për integrimin dhe perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut. Këtë mesazh shumë qartë e përcollëm këtu në Shkup dhe do të vazhdojmë t'ua përcjellim edhe partnerëve tanë evropianë”,- tha përfaqësuesi special i sekretarit amerikan të shtetit, Metju Palmer.
Marrëveshja e Prespës, Palmer: Thelbësore për stabilitetin dhe sigurinë
Palmer theksoi nevojën e implementimit të plotë të Marrëveshjes së Prespës, jetësimin e së cilës përfaqësuesi amerikan e cilëson bazike për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
“Vazhdojmë ta përkrahim Marrëveshjen e Prespës. Është thelbësore për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit të Ballkanit dhe ne besojmë se ky dokument do të ecë përpara hap pas hapi”,- u shpreh përfaqësuesi special i sekretarit amerikan të shtetit, Metju Palmer.
Kryeministri Zaev ka siguruar diplomatin amerikan se RMV mbetet e përkushtuar në rrugën eurointegruese dhe se gjithashtu do të mbajë vazhdimësinë për implementimit e reformave, ruajtjen e marrëdhënieve të mira ndëretnike, si dhe raportet me shtetet fqinje. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)
