Maqedoni
“Ditët e edukimit mediatik”, edukohen fëmijët se si të arrijnë deri te informatat e sigurta
31.10.2019 15:54
Vazhdojnë aktivitetet në kuadër të ditëve të edukimit mediatik, që organizohen nga Rrjeti për edukim mediatik...

Vazhdojnë aktivitetet në kuadër të ditëve të edukimit mediatik, që organizohen nga Rrjeti për edukim mediatik, nga 22 tetori deri më 15 nëntor, si pjesë e aktiviteteve të Javës globale të informimit dhe arsimimit mediatik të UNESCO-s, që zhvillohet për të 8-in vit radhazi. “NDALO, MENDO, KONTROLLO!” është motoja e këtyre ditëve që synojnë ngritjen e vetëdijes publike për rëndësinë e arsimimit mediatik përmes më shumë se 30 debateve e punëtorive. Në kuadër të aktiviteteve, me shumë rëndësi është edhe edukimi i fëmijëve, sepse ata janë përdoruesit më të shumtë të rrjeteve sociale e mediave dhe është mirë të dinë se si të klasifikojnë informacionet që marrin.
“Fëmijëve duhet t’ju shpjegojmë se si ta mbrojnë privatësinë e tyre në internet, t’u shpjegojmë se si t’i kontrollojnë lajmet që lexojnë, informacionet që marrin dhe gjithë kjo do ju mundësojë që thjeshtë fëmijët të jenë të vëmendshëm mediatikisht. Me ta duhet të bisedohet se si t’i përdorin mediat, sepse ata janë të përgatitur në këtë sferë, por vetëm duhet t’u shpjegojmë se si mos të jenë të keqpërdorur nga mediat e ndryshme dhe nga rrjetet sociale, dhe normalisht se si të mbrohen”,- tha një përfaqësuese e ASHAAV.
Rrjeti për edukim mediatik numëron 53 anëtarë, përfshirë padyshim të gjitha institucionet që kanë lidhje të drejtpërdrejt me punën e mediave dhe institucione të tjera. Pjesë e aktiviteteve të rrjetit mediatik prej sivjet është edhe Servisi Publik.
FITIM KRYEZIU
