Daka: Do të numërohen votat e Diasporës
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka....

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka bërë të ditur se aktvendimi i Gjykatës Supreme për votat e diasporës do të zbatohet. Mendoj se nuk kemi nevojë ta komentojmë pasi e kemi aktgjykimin dhe na pëlqeu apo jo e kemi obligim ta zbatojmë, theksoi Daka në mbledhjen e Komisionit.
“Tashmë e kemi një aktgjykim të Gjykatës Supreme dhe në bazë të këtij aktgjykimi ne jemi të obliguar që t’i numërojmë fletëvotimet e votave nga jashtë Kosovës”,- deklaroi kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.
Gjykata Supreme ka miratuar si të bazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje që të ndryshohet vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa me të cilin ndalohej numërimi i 4.639 zarfeve me vota të ardhura nga jashtë Kosovës. PZAP-ja kishte vendosur që këto vota të mos lejoheshin për numërim për shkak se kishin arritur me vonesë në Kosovë.
Nga Komisioni Qendror Zgjedhor kanë bërë të ditur se fillimisht duhet të bëhet verifikimi i fletëvotime, e më pas të fillojë numërimi i tyre në Qendrën e Numërimit të Rezultateve, kur do të dihet saktë edhe numri i fletëvotimeve të aprovuara dhe atyre të refuzuara. Verifikimi i këtyre votave mund të marrë dy ditë kohë.
Në pritje të rezultateve përfundimtare nga KShZ, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike e Kosovës vazhdojnë përpjekjet për harmonizimin e programit.
Siç është bërë e ditur aktualisht po punohet në pjesën e sundimin e ligjit, pasi të dy partitë angazhohen për reformë rrënjësore të sistemit të drejtësisë, përfshirë vetingun në gjyqësi, prokurori, polici dhe AKI. (Gyltene Sinani, TVM2)
