60 ankesa në Këshillit inspektues, prindërit: Shteti po na i diskriminon fëmijët

31.10.2019 17:53

Në Këshillin inspektues kanë arritur 60 ankesa nga prindërit e fëmijëve....

Në Këshillin inspektues kanë arritur 60 ankesa nga prindërit e fëmijëve që nuk janë regjistruar në klasë të parë për shkak të mospasjes së katrorit të plotësuar vaksinal. Nga Këshilli theksuan se nuk kanë  juridiksion për të vlerësuar ose interpretuar Ligjin për arsimin fillor.

Ata kanë kërkuar mendim nga MASh nëse ndonjë nga inspektorët ka vepruar  gabim, por nuk kanë marrë përgjigje. 

“Këto ankesa pohojnë se në të kaluarën, disa inspektorë arsimorë kanë vendosur të ndjekin parimin e ndalimit të diskriminimit ndaj fëmijëve. Ndërsa muajt e fundit janë kryer në përputhje me dispozitat e ligjit që rregullon vaksinimin, d.m.th. certifikatën e vaksinimit ta marrin ashtu siç kërkohet për regjistrim ekzekutiv në shkollën fillore”,- tha kryetarja e Këshillit inspektues, Magdalena Filipovska.

Prindërit ankohen se fëmijët e tyre diskriminohen nga shteti. Paralajmërojnë se do të ankohen ne Strasburg.

“Nëse Këshilli inspektues deklaron se një pjesë e inspektorëve të arsimit në mënyrë të drejtë e kanë kryer punën e tyre, që nuk është në pajtueshmëri me qasjet tona, atëherë do të ankohemi në Strasburg”,- theksoi Gordana Goxho nga Shoqata “Ne për ne”.

“Jemi një nga ato rastet e rralla kur drejtori vendosi me policinë që të largohemi nga shkolla. Fëmija im tani rri në shtëpi, nuk shkon në shkollë, pra bëhet fjalë për diskriminim nga ana e shtetit”,- u shpreh prindi, Tara Perkova.

Ademi: 189 fëmijë nuk janë regjistruar në klasë të parë

Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, thotë se e drejta për të mësuar garantohet për çdo fëmijë, e meqë periudha e epidemisë nga fruthi ka përfunduar, tashmë me prindërit mund të bisedohet në mënyrë të relaksuar.

“189 fëmijë nuk janë të regjistruar në nivel nacional në klasën e parë. Si ministër i arsimit jam i interesuar që çdo fëmijë të ulet në bankat shkollore, të realizojë të drejtën e vet për t’u arsimuar”,- theksoi ministri i Arsimit, Arbër Ademi.

Prindërit e këtyre fëmijëve këmbëngulin se është e drejtë e tyre për të vendosur për vaksinimin ose jo të fëmijëve. (Rejhane Bushi Metaj, TVM2)