Rrjeti i “zbrazët” diplomatik, Zaev paralajmëron ambasadorë të rinj

31.10.2019 18:17

Në prag të anëtarësimit në NATO...

Në prag të anëtarësimit në NATO, kur shumica e vendeve anëtare të Aleancës kanë ratifikuar Protokollin për anëtarësim, Maqedonia e Veriut ende nuk ka ambasador në Aleancë, por as në SHBA.

Rrjeti diplomatik, i zbrazur pjesërisht, pritet të plotësohet së shpejti. VMRO-DPMNE nxori në sipërfaqe disa nga kandidatët e mundshëm për ambasadorë, përfshi edhe kryetaren e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

“A i planifikon Qeveria, në këtë periudhë, personat: Teuta Arifi - kryetare e Tetovës; Dane Talevski - këshilltar politik i z. Zaev; Misho Dukmanoviç- profesor nga Fakulteti Juridik dhe Sashko Nasev për ambasadorë në ShBA, NATO, Izrael dhe Bullgari?”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.

Zaev konfirmoi se dy nga emrat e lartpërmendur po diskutohen si kandidatë të mundshëm, por nuk sqaroi se cilët nga ta nuk janë alternativë. Gjithsesi konfirmoi interesin e qeverisë për të plotësuar vendet vakante në përfaqësitë diplomatike.   

“Nga këto katër emra që përmendët këtu, dy nuk diskutohen fare. Po dy prej tyre po diskutohen, por mundet që kryetari të mos jap pëlqim, ndoshta Ministria e Jashtme, ndonjëri prej atyre dyve nuk duhet të shkojë ambasador, kështu që nuk dua të jap qëndrime të hershme, por dua që shteti të ketë formuar vendet e ambasadorëve, sidomos në NATO, ku presin të emërojmë ambasador, pasi atje kemi ushtrues detyre”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.

Zaev tha se në disa ambasada duhet të dërgohen ambasadorë sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe se një nga temat që do të bisedojë me Dimitrovin këto ditë është që të shpejtojë procedurat për emërimin e ambasadorëve.

VMRO: Jo ambasadorë politik në kohë zgjedhjesh

Mirëpo, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski, tha se Qeveria nuk duhet në periudhë para zgjedhjeve të dërgojë, siç tha, ambasadorë politikë në qendra të rëndësishme diplomatike. Madje, rikujtoi se ky ka qenë edhe parimi i ministrit të Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, në vitin 2017, në lidhje me emërimin ambasador të Aleksandër Nikollovskit, tani nënkryetar i VMRO-DPMNE-së. (Shpëtim Nuredini, TVM2)