Ndotja e ajrit, VMRO-DPMNE: Vetëm premtohet, asgjë nuk bëhet

31.10.2019 18:55

Ndotja enorme e ajrit përplasi në kuvend opozitën me vetë kreun e ekzekutivit.....

Ndotja enorme e ajrit përplasi në kuvend opozitën me vetë kreun e ekzekutivit. VMRO-DPMNE kërkoi sqarime nga kryeministri nëse vazhdon ende të mendojë se fajin për ndotjen e ka opozita dhe cilat janë masat që merr qeveria që drejton. Kryeministri u kundërpërgjigj se po punohet me masa konkrete për një temë që deri dje ka qenë tabu dhe informoi se janë siguruar 15 milionë euro për luftë kundër ndotjes.

“Shkupi këtyre ditëve është kampion evropian në ndotjen e ajrit. Në cilën fazë është gazifikimi i spitalit në Çair dhe në konviktin e studentëve “Kuzman Josifovski-Pitu”, pse vonohen subvencionet për kondicionerët inverterë. Mjaft me përgjigjet tuaja që fillojnë me “Do të””,- tha Dragan Danev nga VMRO-DPMNE.

Zaev: Punojmë konkretisht, ndryshe nga qeverisja juaj

“Nga qeveria e kaluar nuk u bë asgjë për gazifikimin. 83% e punëve të parashikuara për gazifikimin janë të përfunduara, të gjitha komunat kanë për detyrë të bëjnë projekt dhe model, sipas të cilit gazi do të arrijë te qytetarët. Në vitin 2020 në komunat më të mëdha do të fillojë të ndërtohet rrjeti sekondar dhe terciar. Në qytetin e Shkupit do të vendoset tramvaji elektrik me goma, për çka janë të nevojshme 100 milionë euro. Do të ngremë një linjë kredie që të mund të implementojmë transport ekologjik si masë kundër ndotjes”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.

Tashmë  është formuar një ekip qeveritar që është në koordinim me MPB-në dhe të gjitha inspektoratet për ballafaqim me zjarret në ambientet e hapura. (Belinda Koka Ademi, TVM2)