Botë
Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskutoi për Kosovën, kërkohet vazhdimi i dialogut Prishtinë - Beograd
01.11.2019 11:14
Në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork u diskutua mbrëmë për Kosovën...

Zahir Tanin, i dërguar i sekretarit të përgjithshëm të OKB në Kosovë dhe shef i UNMIK-ut, e nisi fjalimin duke folur për zgjedhjet e fundit në Kosovë, të cilat “sollën ndryshimin më signifikant në 12 vitet e fundit”. Ky ndryshim kishte të bënte me vendimin e marrë nga zgjedhësit për t’ia dhënë votën “kandidatëve jokonvencionalë, e kaluara dhe vizionet e të cilëve nuk janë të njëjta me ato të udhëheqësve të mëparshëm”,- tha Tanin.
Në emër të Serbisë foli ministri i jashtëm, Ivica Daçiç, që foli për të drejtat e mohuara, sipas tij, të serbëve pas shpalljes së pavarësisë nga Kosova, u ankua për vendosjen e tarifave kundrejt produkteve serbe dhe akusoi se zgjedhjet në Kosovë janë përdorur kundër serbëve. Në Këshillin e sigurimit, Daçiq shpalosi edhe certifikatën e lindës së përfaqësueses së Kosovës, Vlora Çitaku, në dy gjuhë, për të treguar se Serbia nuk ua ka ndaluar shqiptarëve përdorimin e gjuhës shqipe.
Çitaku në fjalimin e saj përmendi përparimin e Kosovës pas çlirimit nga okupimi serb, zgjedhjet e 6 tetorit, ku për herë të parë shumë zgjedhës ishin qytetarë që kanë lindur në Kosovën e lire, pra në një vend pa luftë. Ajo foli për vajzat kampione nga Kisova, për ndeshjen e futbollit me Anglinë, për rritjen e numrit të kompanive që merren me IT, për shtypin e lirë. Çitaku e mbylli duke shprehur shpresën për të ardhmen e vendit.
Franca kërkoi vazhdimin e dialogut Prishtinë – Beograd, kërkesë kjo që mbështetet edhe nga përfaqësuesit e vendeve të tjera, Britania e Madhe kërkon që qeveria e Kosovës të dyfishojë forcat në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe që Beogradi dhe Prishtina të vazhdojnë në vendet e tyre me gjykimin e krimeve historike.
Përfaqësuesi rus u ankua për reduktimin e UNMIK-ut dhe e quajti rrezik për rajonin projektin e “Shqipërisë së Madhe” dhe kthimin e luftëtarëve terroristë në Kosovë. Qëndrimi i Rusisë është i prerë, marrëveshja duhet arritur nga dy palët në bazë të rezolutës 1244.
Gjermania përmendi detyrat që ka përpara Kosova të krijojë qeverinë, qeveria të bëjë reformat në bazë të ligjit dhe të vazhdojë dialogun me Serbinë.
