Maqedoni
Bojkoti i mësimit në fshatin Bërnjancë, prindërit para komunës së Haraçinës
01.11.2019 14:38
Prindërit e nxënësve të fshatit Bërnjancë protestuan para komunës së Haraçinës...

Prindërit e nxënësve të fshatit Bërnjancë protestuan para komunës së Haraçinës, duke kërkuar zgjidhje për problemin e tyre. Ata sërish sqarojnë se fëmijët e tyre janë të detyruar të udhëtojnë çdo ditë mbi 2 km rrugë në këmbë, për të arritur në Shkollën Fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Kryetari i Këshillit të prindërve, Ekrem Saliu, thotë se komunën e Haraçinës e kanë informuar me shkrim për protestën para komunës dhe për kërkesat e tyre, dhe se kërkojnë takim me kryetaren e komunës. Por, kryetarja, Milikije Halimi, sot nuk ishte në komunë, pasi, siç thonë nga administrata komunale, ajo kishte aktivitet zyrtar jashtë objektit të komunës. Por, prindërit insistojnë për takim me kryetaren e komunës që t’ia sqarojnë kërkesën e tyre për sigurimin e një furgoni që do të transportonte fëmijët deri në shkollë.
“Ne nga kryetarja e komunës së Haraçinës kërkojmë vetëm një takim që të bisedojmë dhe t’i zgjedhim këto probleme, hallet e tona për një transport, kuptohet për fëmijët tanë, të cilët udhëtojnë 6 km çdo ditë për të shkuar dhe ardhur nga shkolla”,- tha kryetari i Këshillit të prindërve, Ekrem Saliu.
“Ne kërkojmë një transport, se fëmijët janë të vegjël, frikohen nga qentë dhe vet nuk mund të shkojnë në shkollë. Ne shkojmë në punë, kur vijmë duhet të vijmë t’i marrim, sepse të vegël, veturat i shkelin, është ftohtë”,- u shpreh një banor.
Milikie Halimi do të takohet me banorët javën e ardhshme
Nga komuna e Haraçinës thonë se nuk kanë qenë të informuar paraprakisht për protestën e banorëve të Bërnjancës. Kryetarja e kësaj komune, Milikije Halimi, gjatë ditës së sotme, është në takim zyrtar, por ajo u shpreh e gatshme që gjatë javës së ardhshme të takojë banorët për të shqyrtuar problemin e tyre.
Prindërit thonë se tanimë një muaj fëmijët e tyre janë në bojkot dhe do të vazhdojnë të mos shkojnë në shkollë deri në plotësimin e kërkesës së tyre për sigurim të transportit, që ua garanton ligji.
FLUTURA LATIFI
