Ademi: Kemi përafrim serioz qëndrimesh me SAShK-un

01.11.2019 15:14

Ministria e Arsimit dhe SAShK-u janë afër marrëveshjes për rritjen e pagave të punëtorëve arsimorë....

Ministria e Arsimit dhe SAShK-u janë afër marrëveshjes për rritjen e pagave të punëtorëve arsimorë.

Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, pas takimit me përfaqësuesit e SAShK-ut, në prani edhe të kryeministrit, Zoran Zaev, thotë se ka pasur përafrim serioz të qëndrimeve, prandaj bisedimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.                                           

“Ka përparim, ka avancim, ka përafrim të pozicioneve. Kjo flet për qasjen serioze të qeverisë së MASh-it se me të vërtetë dëshirojmë të përmirësojmë statusin social dhe material të të punësuarve në sektorin e arsimit. Bisedimet do të vazhdojnë, jemi në rrugë të mbarë për arritjen e një marrëveshjeje, e cila ka të bëjë me rritjen historike të pagave, në sektorin e arsimit”,- tha ministri i Arsimit, Arbër Ademi.

Nedellkov: Ka përparim, por për marrëveshje ka ende shumë punë

Edhe kreu i Sindikatës, Jakim Nedellkov, konfirmoi se ka përparim në negociata, por se deri tek zgjidhja konkrete ka edhe shumë punë.               

“Është e saktë se ka përparim në bisedime, është e saktë se ka zhvendosje nga pozicionet. Në këto bisedime të nivelit më të lartë, ku mori pjesë edhe kryeministri i vendit, kishim bisedime konstruktive, por do të thosha edhe të vështira, ku argumentet që ne i shpalosëm në tavolinë, që konfirmojmë se kanë rëndësi të madhe, u përballën me argumentet e ministrisë dhe qeverisë. Ka përparim, por sipas nesh, deri te marrëveshja përfundimtare ka ende shumë për të punuar”,- tha kreu i Sindikatës, Jakim Nedellkov.

Zaev: Marrëveshja pritet javën e ardhshme

Marrëveshja me SAShK-un do të bazohet në mundësitë buxhetore, thotë kryeministri, Zoran Zaev, sipas të cilit, marrëveshja është e mundur javën e ardhshme.                                                                                                     

“Besoj se në 5 deri 7 ditët e ardhshme do të kemi vendim përfundimtar dhe shpresoj për marrëveshje me njërën nga sindikatat më të mëdha në vend”,- u shpreh kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.

Bisedimet janë përqendruar te koha kur duhet të fillojë rritja e tretë e pagave, por edhe te përqindja e rritjes. Takimet do të vazhdojnë javën e ardhshme, ndërsa kreu i SAShK-ut përkujtoi se marrëveshja duhet të arrihet para 11 nëntorit, për të shmangur grevën e paralajmëruar në arsim. (Rejhane Bushi – Metaj, TVM2)