Maqedoni

Institucionet, masa për uljen e ndotjes së ajrit

01.11.2019 16:07

Inspektorët qendrorë në bashkëpunim me ato lokalë, të shoqëruar edhe nga policia, do të rrisin kontrollet tek ndotësit potencialë të ajrit....

Kjo u vendos në mbledhjen e përbashkët të inspektorateve, Ministrisë së Ambientit, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Bujqësisë dhe Pushtetit Lokal, si pjesë e masave për uljen e ndotjes në Shkup dhe qytetet tjera të vendit, ku niveli i ndotjes së ajrit këtyre ditëve është tejet i lartë.
 
“U morëm vesh që të gjithë inspektoratet qendrore të veprojnë në kuadër të kompetencave të tyre dhe të kontrollojmë të gjitha subjektet që kanë mundësi të jenë ndotës potencialë, duke u koordinuar së bashku me pushtetin lokal dhe inspektoratet komunale të ambientit jetësor dhe inspektoratet tjera. Të formojnë ekipe të përbashkëta dhe në të gjitha këto ekipe të ketë pjesëtarë të policisë që do të punojë së bashku me ata në teren. Këtë do ta bëjmë çdo ditë në kontinuitet në të gjitha qytetet e vendit”,- theksoi Oliver Spasovski nga MPB.
 
Ministri i Ambientit, Naser Nuredini, thotë se po ndërmerren masa afatgjate për uljen e ndotjes së ajrit, siç është gazifikimi dhe masa afatshkurta, si ndalja e zjarreve apo kontrolle të shtuara nëpër kompani.
 
“Gazifikimi do të ndodhë, është një strategji e shtetit. Masat afatshkurta do të ndalen, zjarret nga individë apo kompani po ashtu, do të shtohen kontrollet te kompanitë me leje integruese A dhe B”,- tha ministri i ambientit, Naser Nuredini.
 
Ministri i Bujqësisë, Trajan Dimkovski theksoi subvencionimin e bujqve për shfrytëzimin e naftës së gjelbër.
 
“Pikërisht këtë vit u aplikua nafta e gjelbër, e cila subvencionohet me 30%, që do të thotë se nëpërmjet programit për pagesë direkte, shteti ka ndarë rreth tre milion euro, që ndihmon bujqit të shfrytëzojnë naftë më të lirë”,- u shpreh ministri i Bujqësisë, Trajan Dimkovski.
 
Por, VMRO-DPMNE ka kritikuar qeverinë dhe pushtetit lokal në Shkup se nuk kanë bërë sa duhet për uljen e ndotjes së ajrit. 
 
“Nuk punojnë stacionet matëse, ndërsa për këto dy vite në një periudhë të caktuar u shndërruam në qytetin më të ndotur në botë, edhe pse sezoni i ngrohjes sapo ka filluar. Nga 39 masat e premtuara kundër ndotjes, brenda këtyre dy vitesh është realizuar vetëm një. Kjo është katastrofale",- theksoi Koce Trajanovski nga VMRO-DPMNE.
 
Kritika pati edhe nga Aleanca për Shqiptarët, sipas të cilës për furnizim me pajisje për pastrimin e ajrit në hapësirat e brendshme të institucioneve publike, pushteti u jep përparësi hapësirave ku qëndrojnë funksionarët.
 
“Jo më larg se tre ditë më parë, qyteti i Shkupit, por edhe qyteti i Kumanovës, ishin të shpallura ndër qytetet më të ndotura në botë sa i takon ajrit. Qeveria në vend që të marrë masa për pastrimin e ajrit nëpër qytete për t’ua lehtësuar jetën dhe thithjen e ajrit të pastër qytetarëve, ajo prapë se prapë u jep përparësi objekteve qeveritare”,- deklaroi Elmi Aziri nga Aleancës për Shqiptarët.
 
Stacionet matëse këtyre ditëve e kanë radhitur kryeqendrën e vendit si qyteti më i ndotur në Evropë dhe në mesin e tre deri në pesë qytetet më të ndotura në botë. Pas këtyre informacioneve, kryeministri ka paralajmëruar ndërtimin e tramvajit elektrik në Shkup. 
 
GYLTENE SINANI