Shekerinska: RMV, e gatshme të bëhet pjesë e NATO-s

01.11.2019 16:20

Maqedonia e Veriut është e gatshme t'i bashkëngjitet Aleancës veriatlantike....

Maqedonia e Veriut është e gatshme t'i bashkëngjitet Aleancës veriatlantike, thotë ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska. 

Sipas saj, shteti ka harmonizuar të gjitha ligjet vendore me ato të NATO-s dhe gjithashtu edhe në praktikë mund t'i përgjigjet çfarëdolloj kërcënimi, përfshirë edhe sferën e mbrojtjes kolektive të NATO-s. Deri në Samitin e Londrës në dhjetor,  Shekerinska shpreson të mbarojnë të gjitha detyrat e shtëpisë, për të zënë karrigen me fuqi vendimmarrëse në Aleancë.

“Jemi  me të vërtetë gati, si në fushën e ligjeve po ashtu edhe siç shihni sot edhe në praktikë, në implementim. Si Armatë si Ministri e Mbrojtjes dhe si shtet, dëshmuam se jemi  partner dhe anëtare e ardhshme në të cilën mund të llogaris NATO. Deri në ngritjen e flamurit të NATO-s na ndajnë vetëm tre ratifikime. Presim nga Franca dhe Holanda këtë ta realizojnë në vijim të muajit dhe kuptohet se të gjithë kemi kthye sytë nga zgjedhjet në Spanja, ku prej atij momenti mund të vlerësojmë kur parlamenti spanjoll do të ratifikojë procedurën”,- tha ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska.

Këto komente Shekerinska i bëri në prezantimin e donacionit amerikan për Brigadën e mbrojtjes nga armatimi, atomik, kimik dhe biologjik,  në kazermën në Gjorgje Petrov.

Mbi 1500 pajisje mbrojtëse, 1200 palë çizme, doreza dhe çorape, sipas Shekerinskës,  do të shërbejnë për përforcimin e kapaciteteve shtetërore për raste të jashtëzakonshme  të kërcënimeve ndaj vendit. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)