Maqedoni

SHGM: Gjyqësori t’i procesuojë sulmet ndaj gazetarëve

01.11.2019 16:55

Gazetarët nuk guxojnë të jenë të sulmuar për shkak të profesionit të tyre dhe se organet gjyqësore....

Gazetarët nuk guxojnë të jenë të sulmuar për shkak të profesionit të tyre dhe se organet gjyqësore patjetër duhet t’i procedojnë rastet ku është denoncuar sulm ndaj tyre. Mosndëshkimi sjell në vetëcensurë si dhe zvogëlon terrenin për media të lira, porositi kreu i Shoqatës së gazetarëve, Mladen Çadikovski. 
 
“Për fat të keq kemi edhe shumë armiq, shpeshherë përballemi me sulme fizike dhe verbale. Mosndëshkimi çon në vetëcensurë, e bën profesionin joatraktiv, si për gazetarët po ashtu edhe për të rinjtë të cilët duan t’i bashkëngjiten kësaj sfere. ShGM vazhdimisht brengoset për këto sulme dhe në bashkëpunim me sindikatën dhe Ministrinë e Drejtësisë punon në ndryshimin e Kodit Penal, me të vetmin qëllim, që sulmet ndaj gazetarëve të trajtohen si sulm ndaj personave zyrtarë”,- tha kryetari i ShGM-së, Mladen Çadikovski.
 
Dirk Jan Kol: Liria e shprehjes, çelës i demokracisë
 
Liria e shprehjes është e drejtë fondamentale e gjithsecilit dhe çelës i demokracisë në një vend, theksoi ambasadori i Mbretërisë së Holandës, Dirk Jan Kol.
 
“Sipas raporteve, numri i sulmeve ndaj gazetarëve po rritet, numri i gazetarëve të vrarë është pothuajse dyfish. Holanda ka një reputacion pozitiv për lirinë e shprehjes, por duhet të pranohet se liria nuk fitohet automatikisht, por kërkon kujdes të vazhdueshëm. Kjo çështje duhet të jetë prioritet për çdo shtet”,- tha ambasadori i Mbretërisë së Holandës, Dirk Jan Kol.
 
Këto komente folësit i bënë në Konferencën ndërkombëtare për ndërprerjen e mosndëshkimit të sulmeve kundër gazetarëve.
 
ZEKIRJA MEXHITI