25 vjetori i themelimit të Kryqit të Kuq, promovohet doracaku për deputetët
Në 25 vjetorin e themelimit të Kryqit të Kuq të RMV-së....

Në 25 vjetorin e themelimit të Kryqit të Kuq të RMV-së, u promovua doracaku për deputetët mbi të Drejtën humanitare ndërkombëtare, i cili tregon rolin e parlamentareve në implementimin e DHN-së.
Doracaku, i cili iu dhurua deputetëve, shpjegon si të implementohet e drejta humanitare ndërkombëtare, masat që duhet ndërmarrin parlamentarët për ndërtimin e një kornize gjithëpërfshirëse, si t’i ndihmojë shteti aksionet humanitare, masat që duhet të ndërmerren për të siguruar dënimin e shkeljeve të DHN-së etj. Nga Kryqi i Kuq thonë se vendi ynë duhet të bëjë më tepër për implementimin e tërësishëm të DHN-së.
“RMV shquhet në drejtim të ratifikimit të marrëveshjes së DHN-së, implementimit dhe përhapjes së saj, por përsëri duhet të bëhet edhe më tepër për implementim të plotë dhe shpërndarjen gjithëpërfshirëse. Në këtë drejtim është e nevojshme të shtohen përpjekjet e institucioneve kompetente për avancim të mëtejmë në zbatimin e normave rreth të drejtës humanitare ndërkombëtare në shtetin tonë”,- tha sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq në RMV, Sait Saiti.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, tha se shteti e ka obligim të promovojë DHN-në.
“Edukata është mënyra e vetme e hapjes së syve dhe përhapjes së vetëdijes dhe prandaj e kemi patjetër si shtet, gjegjësisht si bartës të pushtetit, të veprojmë në drejtim të promovimit për arsye se nxjerrja e rregullave në çfarëdo forme dhe zbatimi i tyre jo çdoherë janë në vijën e njëjtë. Prandaj edhe procesi i të Drejtës humanitare ndërkombëtare kërkon edhe gjetje të vazhdueshme të mënyrave të reja të promovimit dhe ngritjes së vetëdijes”,- tha kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.
Detyrimet ligjore të Kryqit të Kuq janë shpërndarja, promovimi dhe afirmimi i të Drejtës humanitare ndërkombëtare në vendin tonë, për të cilat jep mbështetje Komiteti ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, apo siç njihet ndryshe “Rojtari i Konventës së Gjenevë”, u tha me rastin e 25 vjetorit të themelimit të Kryqit të Kuq. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)
