Antikorrupsioni: Ramiz Merko të ndiqet penalisht

01.11.2019 17:54

Komisionit Shtetëror Kundër Korrupsionit....

Komisionit Shtetëror Kundër Korrupsionit ka kërkuar të fillohet procedurë penale ndaj kryetarit të Strugës, Ramiz Merkos. Merko dyshohet se ka punuar në kundërshtim me ligjet dhe në kundërshtim të interesin publik, duke shpenzuar në mënyrë jotransparente paratë e komunës.

Sipas tyre, në kohë kur komuna ka pasur borxhe, ai ka shpenzuar 114.000 euro për 4 vetura, për nevoja të komunës, përfshirë 66.700 euro vetëm për Audi A6. Antikorrupsioni thirret në raportet e revizionit për punën financiare të komunës, ku janë vënë re disa parregullsi.

“Për shkak të ushtrimit të funksionit në kundërshtim me parimet e ligjit dhe integritetit, me interesin publik dhe atë të komunës, janë vërtetuar pretendimet e revizionit, që është bërë në kuadër të nenit 17, paragrafi 1, pika e 8 dhe në bazë të nenit 353, paragrafi 1 i Kodit Penal, propozoj që të miratohet vendim për  ngritjen e iniciativës për të nisur procedurë për ndjekje penale në prokurorinë gjegjëse në bazë të raportit të Entit Shtetërorë për Revizion”,- tha anëtari i KShKP-së, Nuri Bajrami.

Anëtarët e Komisionit Kundër Korrupsionit gjithashtu kanë konstatuar konflikt interesi edhe në vendimet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, lidhur me atë kush do të shtypë materialin zgjedhor në disa cikle të kaluara zgjedhore, duke filluar nga viti 2017. Procedurat janë bërë në mënyrë jotransparente dhe pa konkurs.

“Ne e kontrolluam Regjistrin Qendror dhe konstatuam se shtypshkronja “Evropa 92” dhe shtypshkronja “Kiro Dandaro” kanë lidhje ekonomike dhe kapitale, sepse i njëjti person, Ratko Dimitroski, që zotëron “Evropën 92”, është në të vërtetë edhe personi juridik në “Kiro Dandaro” nga Manastiri, si anëtar ekzekutiv i Bordit të drejtorëve, që rezulton se këta dy persona juridikë janë të lidhur në aspekt pronësor kapital”,- theksoi kryetarja e KShKP-së, Biljana Ivanovska.

Një pjesëmarrje e tillë, sipas Ivanovskës, ngre dyshimin për abuzim të procedurës së thirrjes publike në dhënien e prokurimit publik. (Naim Ramadani, TVM2)