Zaev: Anëtarësimi në NATO mund të shtyjë zgjedhjet

01.11.2019 18:08

Data 12 prill për mbajtjen e Zgjedhjeve të Parakohshme Parlamentare....

Data 12 prill për mbajtjen e Zgjedhjeve të Parakohshme Parlamentare, si duket është në këmbë të qelqta.

Të tillë e bën mundësia që vendi të ratifikojë anëtarësimin në NATO nëse merr pëlqimin e 29 vendeve anëtare, pasi për t’u mbajtur zgjedhjet më 12 prill, më 11 shkurt duhet të shpërbëhet kuvendi. Për këtë qëllim, kryeministri Zaev lë mundësinë e shtyrjes së datës për mbajtjen e zgjedhjeve.

“12 prillin duhet ta mbajmë gjithsesi, por çdoherë interesi i shtetit ka prioritet dhe lëmë mundësi për ndonjë ndryshim eventual për shkak NATO-s. Ne nuk do të lejojmë që ne si vend të mos kemi Parlament kur do të duhet që ne për veten tonë ta ratifikojmë protokollin. Prandaj edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, po mban barrën e asaj se si po ecin gjërat në çështjen e ratifikimit. Për fat të keq, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, nuk ishte i pranishëm në takimin e liderëve tek kryetari i vendit, kur u sollën këto vendime, por Kuvendi është organi më i lartë shtetëror dhe ai sjell vendime 45 apo 60 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, do të shpërbëhet Kuvendi. Por, një duhet ta kuptojmë, se vendi duhet të jetë funksional, kur duhet të sjellim vendime të tilla”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.

VMRO dhe ASh: 12 prilli është çështje e mbyllur

Kundër shtyrjes së datës janë shprehur VMRO-DPMNE dhe ASh, sipas të cilave, data e 12 prillit është çështje e mbyllur, por Zaev po kërkon alibi të largohet nga zgjedhjet.

“Pengesa për mbajtjen e zgjedhjeve më 12 prill nuk ka, atë e ka treguar edhe lideri ynë në takimin e liderëve dhe me këtë konstatim të gjithë liderët me konsensus janë pajtuar që më 12 prill të mbahen zgjedhjet. Kjo është vetëm edhe një argument dhe një alibi i vetë Zaevit që t[i largohet drejtësisë. Sa më shumë t’i shtyjë zgjedhjet, aq humbja do të jetë më e thellë, por deklarimet e tij asnjëherë nuk kanë pasur qëndrueshmëri, ai disa herë ka premtuar shumë gjëra, por ato nuk i ka mbajtur, prandaj edhe data e zgjedhjeve mund të ndryshohet, kur kemi në kryer një njeri si ai”,- theksoi Dafina Stojanoska nga VMRO-DPMNE.

“Ne jemi kundër mundësisë që zgjedhjet parlamentare të shtyhen, për shkak se në takimin që liderët e partive e kanë mbajtur tek presidenti i vendit janë marrë parasysh të gjitha mundësitë, edhe për votimin e ratifikimit të marrëveshjes për anëtarësim të vendit në NATO, por edhe mundësisë së votimit të Spanjës, sepse pritjet janë që ky vend të jetë i fundit që do ta ratifikojë të njëjtën, kështu që unë mendoj se është e papranueshme shtyrja e datës së zgjedhjeve parlamentare”,- u shpreh nënkryetari i ASh-së, Ilmi Aziri.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka sqaruar se nëse zgjedhjet mbahen më 12 prill, 11 shkurti duhet të jetë dita e fundit e punës së deputetëve, dhe pas shpërbërjes së Kuvendit nuk ka ndërmend të thërrasë seancë plenare për ratifikimin e Protokollit për anëtarësim në NATO. (Fitim Kryeziu, TVM2)