SKOCIA

Skocia i thotë “jo” pavarësisë

19.09.2014 13:55

Skocia ka votuar për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar pasi votuesit refuzuan bindshëm pavarësinë në referendumin e së enjtes..........

Rezultati u konsiderua i sigurt matematikisht sot  në orën 06:08 të mëngjesit, pasi një zyrtar përgjegjës njoftoi dominimin e votave “jo”. 

Votuesit kundër ndarjes  kryesojnë me 1.914.187 vota kundër 1.539.920 të atyre që votuan “pro” pavarësisë. 

Ministri i parë i Skocisë, Alex Salmond, deklaroi se referendumi dhe pjesëmarrja e lartë në të ka qenë një triumf për procesin demokratik dhe premtoi se do të mbajë zotimin e tij në Marrëveshjen e Edinburgut, që i hapi rrugën referendumit.

“Partitë “pro” unionit u angazhuan në fund të fushatës për t’i siguruar më shumë pushtet Skocisë dhe Skocia pret që këto zotime të përmbushen me shpejtësi. Na është premtuar një rishikim i ligjeve të Skocisë brenda 27 marsit të vitit të ardhshëm. Jo vetëm 1.6 milion skocezët që votuan “pro” pavarësisë do të kërkojnë përmbushjen e këtij zotimi, por të gjithë skocezët që morën pjesë në këtë referendum do ta kërkojnë atë”- deklaroi ministri i parë i Skocisë, Alex Salmond.

Kryeministri britanik, David Cameron, shprehu lumturinë e tij për rezultatin e referendumit. Ai premtoi një zgjidhje të re dhe të ndershme për problemet e Mbretërisë së Bashkuar pas rezultateve të referendumit dhe shtoi se projekt-tligjet për rritjen e pushtetit të Skocisë do të jenë gati në janar 2015.

“Populli i Skocisë e tha fjalën e tij. Rezultati është i qartë. Ne do t’i mbajmë bashkë 4 popujt tanë. Do të më ishte thyer zemra nëse Mbretërisë së Bashkuar do t’i vinte fundi. Ne do të vazhdojmë të bashkuar. Skocia është e rëndësishme për të gjithë ne në Angli, Uels dhe Irlandën e Veriut”- tha kryeministri i Britanisë së madhe, David Cameron.

Në fund të referendumit, votuesit “pro” qëndrimit në Britaninë e Madhe festuan gjithë natën, të tjerët me lot në sy duhet të presin 50 vite të tjerë për një referendum pozitiv ndarjeje. (Adnan Hajdari, TVM2)