Maqedoni

Vetingu, Arifi: i pamundur në periudhë parazgjedhore, duhet të përqëndrohemi në reformat e Pribesë

02.11.2019 13:45

Veting i tërësishëm, apo parcial si nevojat reale për realizimin e të njëtit kanë ngjallur dilema të shumta...

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti ka kërkuar veting për të gjithë. Ministri i brendshëm Oliver Spasovski po përgatit terenin për veting në polici të mbi 10 mijë të punësuarve.
 
Dhe së fundmi edhe kryeministri Zoran Zaev ka folur për nisjen e menjëhershme të vetingut në gjyqësor, pas informacioneve se thuajse gjysma e gjykimeve të PSP-së kanë nisur nga e para si pasojë e ndërrimit të gjykatësve ose skadimit të afatit ligjor prej 90 ditëve për ndërmarrjen e ndonjë veprimi gjyqësor.
 
Ekspertët edhe pse numërojnë benifitet e filtrimit profesional, janë skpetik në realizimin e të njëjtit në një periudhë parazgjedhore. Profesorja universitare Besa Arifi thotë se hapësira kohore është tejet e ngushtë dhe mund të ketë efekte anësore.
 
“Organet tjera të administratës shtetërore mund të jenë joaktive për një kohë të gjatë dhe ky është rreziku që lidhet me vetingun edhe pse si një proces mund të jetë edhe pozitiv. Veçanarisht është shumë vështirë kur një proces i tillë duhet të ndodhë gjatë periudhës parazgjedhore, gjë që është krejtësisht e pamundur për shkak se një proces i këtillë veçanërisht në qoftëse do të kishte ndërhyrje në organet gjyqësore do të kërkonte ndryshim të ligjeve që kanë të bëjnë me atë sferë, e të cilat janë ligje që kërkojnë dy të tretat e votave në parlament për t’u ndryshuar dhe në përgjithësi do të ishte një proces vështirë ose aspak i realizueshëm në periudhë parazgjedhore”, u shpreh profesorja universitare Besa Arifi.
 
Arifi thotë se vendi ka nevojë për reforma reale të theksuara në Raportin e Pribesë. 
 
“Procesi i pastrimit të thuash të të gjitha institucioneve nga elemente të cilat mund të lidhen me kryerjen paraprake të veprave penale në ato struktura, duhet të lidhet me procesin e realizimit të reformave që dolën si Reforma të Pribesë dhe do të ishte mirë që në ato tre sfera të njëjtat të realizohen, pra në gjyqësor, në shërbimet sekrete dhe në administratën publike. Mirpo këto janë sfera shumë të gjëra dhe duhet të kemi parasysh që vetingu si i tillë nuk ishte një proces I cili u këshillua dhe as nuk u përkrah nga ata të cilët i krijuan ato raporte ndërkombëtare”, theksoi Arifi.
 
Në Raportin e Pribesë u dhanë sugjerime konkrete në sundimin e së drejtës, luftimin e korrupsionit, depolitizimin e administratës, reformave në kodin zgjedhor dhe mediave të lira.
 
Gjitha këto të realizohen nëpërmjet reformave dhe jo vetingut, I cili në Shqipëri ka nisur nga viti I kaluar dhe pritet të zgjasë disa vjet për të përfunduar vlerësimin e mbi 800 gjykatësve. 
 
MERAL ISMAILI