KOSOVË

Jahjaga, në kërkim të zgjidhjes së krizës rreth krijimit të institucioneve në Kosovë

19.09.2014 13:58

Në takimet e ndara me partitë politike, presidentja Jahjaga i ka dëgjuar pikëpamjet e tyre për kapërcimin e krizës.......

Burime të besueshme thonë se PDK ishte e gatshme për kompromise me bllokun LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje, duke mos e përjashtuar opsionin e një qeverie gjithëpërfshirëse, shkruan “Tribuna”.

Presidentja, Atifete Jahjaga, është aktivizuar në kërkim të zgjidhjes së krizës rreth formimit të institucioneve të reja, duke i thirrur në takime të ndara partitë parlamentare.

Mbështetur në përgjegjësitë e saj kushtetuese, Jahjaga ka nisur një seri takimesh në përpjekje të ruajtjes së funksionimit dhe funksionalitetit të institucioneve të vendit. Aktivizimi i saj, pasoi dështimin e sërishëm të kuvendit që ta zgjedhë kryetarin. Fillimisht, Jahjaga ka pritur në një takim liderin e PDK-së, Hashim Thaçin, të shoqëruar edhe nga nënkryetarët e kësaj partie. Ndërkohë, katër partitë politike, LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje nuk do të pranojnë asnjërin opsion të Partisë Demokratike të Kosovës, qeverisjen gjithëpërfshirëse si ajo e vitit 2001, e as zgjedhjet e jashtëzakonshme për të dalë nga kriza.

Madje, shkuarja në zgjedhje konsiderohet e pamundur në këtë situatë, kur kiza institucionale është thelluar edhe më shumë, pas dështimit të PDK-së për zgjedhjen e kryeparlamentarit, shkruan “Zëri”.

Blloku VLAN shpreson se PDK-ja do t’u hapë rrugë për krijimin e institucioneve të reja, duke besuar se e drejta për formimin e institucioneve është në dorën e tyre.