Botë

Protesta në Bagdad, jo vetëm me zjarr, edhe me piktura në mure

03.11.2019 13:28

Një grup të rinjsh protestues në Bagdad kanë nisur të pikturojnë muret e një tuneli në afërsi të qendrës së kryeqytetit...

Një grup të rinjsh protestues në Bagdad kanë nisur të pikturojnë muret e një tuneli në afërsi të qendrës së kryeqytetit, si një formë e reagimit të tyre, por artistikisht, ndaj qeverisë kundër së cilës janë ngritur.

Një prej tyre, Lina Musa këshillon që ata të vazhdojnë me demonstrime paqësore.

“Fotografitë dhe karikaturat janë pjesë e tyre. Ne duam t’i tregojmë botës se ne jemi një popull që jeton me art dhe që e do artin”, shtoi Musa.

Përveç tunelit, edhe në muret e ndërtesave rreth Sheshit Tahrir ka piktura dhe karikatura që simbolizojnë protestat e tetorit dhe kritikojnë qeverinë.

Dhjetëra mijëra protestues kanë mbajtur protesta masive antiqeveritare në Bagdad dhe qytete të tjera të Irakut që nga fillimi i muajit të kaluar.

Ata janë të pakënaqur me shkallën e lartë të papunësisë, shërbimet e dobëta publike, si dhe korrupsionin e qeverisë aktuale.

Sipas Kombeve të Bashkuara, që nga 1 tetori, 229 njerëz janë vrarë në protesta dhe rreth 8,000 janë plagosur.