Maqedoni

Kop: Vazhdoni reformat se data do vjen, ZEE s’është alternativë por etapë e integrimit

03.11.2019 15:27

Mosmarrja e datës për fillimin e negociatave me BE-në ka dëshpëruar edhe Holandën...

Ambasadori holandez, Dirk Jan Kop konsideron se ajo që ndodhi në samitin e fundit të BE-së është dëshpëruese, por, sipas tij, kjo nuk duhet parë si dramë, por si porosi për institucionet dhe organet kompetente që të fokusohen në realizmin e reformave, si rruga e vetme që përafron Maqedoninë e Veriut me Brukselin.
 
“Porosia e rëndësishme në këtë moment është: vazhdoni. Vazhdoni me reformat. Vazhdoni ta çoni vendin më afër atij momenti kur do të mund t’i filloni bisedimet dhe sa më shumë të bëni tani, më pak do të duhet të bëni kur do të fillojnë bisedimet. Starti i bisedimeve do të jetë vetëm fillimi i procesit të gjatë, për të cilin do të nevojiten shumë vjet. Kështu që unë do të them: mos u dëshpëroni, do të ndodhë. ndërkohë, vazhdoni me reformat” ka theksuar ambasadori i Holadnës në Shkup, Dirk Jan Kop, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
 
Sa i përket idesë për Zonën Ekonomike Evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor, Kop nuk e sheh si alternativë të integrimit të vendeve të rajonit në familjen evropiane, por përkundrazi si përgatitje për plotësimin e kritereve për integrim.
 
“Kjo është ide, e cila doli nga një studim në Bruksel, Iniciativa Evropiane për Stabilitet. Nuk është program zyrtar në cilindo prej kryeqyteteve të BE-së. Por, po, ky proces tashmë po zhvillohet dhe nuk është alternativë, por është përgatitje për BE. Quhet Proces i Berlinit, CEFTA-Marrëveshje për Tregti e Evropës Qendrore, ku anëtare janë edhe vendet e Ballkanit, etj"-thekson Kop, duke sqaruar se integrimi evropian dhe ky bashkëpunim tregtar midis këtyre vendeve, do t’i bëjë ato më të përgatitura për të hyrë në Bashkimin Evropian. 
 
Gjithsesi, Holanda konsideron se Maqedonia e Veriut është e përgatitur që të fillojë bisedimet. 
 
SHPËTIM NUREDINI