Konve-Mure Dhe David Sassoli, vizitojnë Shkupin
Nënkryetarja e Senatit të Francës, Elen Konve-Mure, nesër vjen në Shkup në takime me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi...

Nënkryetarja e Senatit të Francës, Elen Konve-Mure, nesër vjen në Shkup në takime me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, përfaqësuesit e trupave kuvendorë dhe të grupeve të deputetëve.
Vizita e Konve-Mure, siç theksohet në kumtesën e paralajmëruar nga Ambasada e Francës e reflekton përforcimin e këmbimeve parlamentare të Maqedonisë së Veriut dhe Francës në perspektivën e rrugës evropiane të vendit i cili mbetet tërësisht aktual.
“Kjo vizitë, që realizohet në suaza të strategjisë franceze për Ballkanin Perëndimor i riafirmon marrëdhëniet e besimit dhe miqësisë mes Senatit francez dhe Kuvendit të Maqedonisë, si dhe ndaj qytetarëve në tërësi”, thuhet në kumtesë.
Senatorja Konve-Mure ka marrë pjesë në përgatitjen e Propozim-ligjit për ratifikim të Protokollit për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO, që muajin e kaluar në lexim të parë kaloi në Senatin e Francës dhe pritet së shpejti të miratohet në Asamblenë kombëtare.
Edhe Presidenti i sapozgjedhur i Parlamentit Evropian, David Sassoli të hënën do të vizitojë Maqedoninë e Veriut.
Para vizitës së tij në vend ai në një intervistë tha se bllokada e negociatave për anëtarësim në BE e ka bërë publikun evropian të vetëdijshëm për rëndësinë e çështjes.
Ai konsideron se vetoja franceze në samitin e fundit është vetëm një pengesë e vogël në rrugën për t’u kapërcyer në muajt e ardhshëm.
