KOSOVË

Kosovë, “Liria e Informimit – zhvillimi i praktikave në rajonin e Ballkanit Perëndimor”

19.09.2014 14:43

Në organizim të Zyrës për Komunikim me Publikun, të Zyrës së kryeministrit të Republikës së Kosovës, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, sot në Prishtinë është mbajtur Konferenca Rajonale: “Liria e Informimit – zhvillimi i praktikave në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.......

Në hapje të konferencës, zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, pasi përgëzoi organizatorët për idenë e mbajtjes së kësaj konference për lirinë e informimit, theksoi: “Të gjitha institucionet e Kosovës janë duke punuar në mënyrë sistematike, në mënyrë që të kemi mundësi që standardin e qasjes në dokumente publike ta arrijmë në nivelin e duhur tashmë.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jean-Claude Schlumberger, duke vlerësuar rëndësinë e lirisë së informimit në shoqëritë demokratike, potencoi: “Qasja në informata për media dhe për shoqërinë civile është bazë e një demokracie pjesëmarrëse, pa të cilën publiku nuk mund të merr pjesë dhe as nuk mund ta mbajë qeverinë përgjegjëse ose llogaridhënëse për shpenzimet që bëhen”- theksoi ambasadori Schlumberger.

Në kuadër të temës: "Vështrim i përgjithshëm i situatës aktuale në rajon, organizimi institucional, legjislacioni dhe zbatimi i kuadrit ligjor”, prezantuan panelistët: Albulena Sylaj-Zeqirin, zyrtare e lartë për komunikim dhe trajtimin fillestar të kërkesave për qasje në dokumente publike në Zyrën e kryeministrit të Kosovës dhe Blerim Hysenin, zëvendëskomisionar në Komisionin për Mbrojtjen e së Drejtës për Qasje të Lirë në Informata Publike të Maqedonisë.