Presidenti i PE-së Sasoli, ua dha të rinjve “çelësin” për hapjen e shtëpisë evropiane
Presidenti i Parlamentit Europian, David Sasoli...

Presidenti i Parlamentit Europian, David Sasoli, ka realizuar një takim shumë miqësor me nxënësit e shkollave të mesme dhe studentë nga vendi, duke u përcjellë atyre mesazhe inkurajuese për të mos e lëshuar vendin, por ta shtyjnë vendit drejt integrimit në BE. Sipas Sasolit, BE është shtëpia e të gjithëve, e përbashkët.
Në shoqërim të presidentit të Parlamentit Europian, Sosolit, ishte edhe euroambasadori, Samoel Zhbogar, me ç’rast përuruan projektin “Europa - Shtëpia jonë”, me ç’rast ua dhuruan të rinjve “çelësin” për hapjen e shtëpisë evropiane.
“Jemi duke nisur diçka bashkërisht, diç që do të na bashkojë të gjithëve, por njëherit edhe u ndihmon ju për të pasur një perspektivë të pastër për të ardhmen. Sot po hapim shtëpinë europiane dhe kjo shtëpi do të jetë për të gjithë ne, sepse të gjithë ne besojmë në vlerat europiane”,- tha ambasadori i BE-së në Shkup, Samoel Zhbogar.
Të rinjtë u shprehën të kënaqur që po marrin pjesë në këtë debat interaktiv, duke u njoftuar më shumë për rrugën eurointegruese të vendit.
“Më vjen mirë që marr pjesë në këtë projekt dhe besoj se kjo do të na motivojë ne si të rinj për të qëndruar këtu në Maqedoni dhe për të vazhduar me punën tonë këtu. Nuk jam shumë e informuar, por besoj se sot më mirë do ta shohim”,- tha nxënësja e Gjimnazit “Ibrahim Temo” në Strugë, Sueta Jashari.
“Ky është takimi ynë i dytë me ambasadorin, Samoel Zhbogar, por takimi i parë me kryetarin e Parlamentit Europian. Nuk jemi të njoftuar aq sa duhet me rrugën eurointegruese të vendit, por përmes këtyre takimeve po mundohemi të kuptojmë deri ku jemi”,- theksoi nxënësi i Shkollës “Arseni Jovkov” në Shkup, Refet Shaqiri.
“Çdo njëri do të kishte dëshirë të jetë pjesë e Unionit Europian dhe do të ishte më mirë për ne si studentë”,- u shpreh Stefan Gërnçarevski nga Shkolla e mesme “Arseni Jovkov”.
Paraprakisht, presidenti i sapoemëruar i Parlamentit Evropian, David Sasoli, kishte pohuar se bllokimi i negociatave për Shkupin e Tiranën ka vetëdijesuar BE-në për rëndësinë e çështjes. Ai ka vlerësuar se vetoja franceze në samitin e fundit është një pengesë e vogël që do të tejkalohet muajve në vijim. (Fitim Kryeziu, TVM2)
